Të indinjuar me vonesat e shumta rreth publikimit të listave për verifikimin e veteranëve, këta të fundit do të ngritën sërish në protestë.
Por, kësaj radhe protesta organizohet në një formë më ndryshe.
Xhevdet Qeriqi, udhëheqës i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, ka konfirmuar për KosovaPress, se veteranët do të bllokojnë magjistralen Kosovë – Maqedoni dhe se protesta po organizohet nga përfaqësuesit e veteraneve të komunës së Kaçanikut.
Qeriqi, tha për KosovaPress se Këshilli i ka dhënë mbështetje të plotë kësaj proteste duke theksuar se publikimi i listave po vonohet qëllimshëm dhe tashmë nuk mund të presin.
“Protesta organizohet në mes të Kaçanikut dhe Hanit të Elezit të shtunën duke nisur nga ora 12:00 dhe do të zgjasë plotë 24 orë. Ka qenë kërkesa e veteranëve të Kaçanikut edhe e kemi përkrahur sepse edhe ne kemi bërë përgatitjet për një protestë të ardhshme në Prishtinë për arsye se po vonohen qëllimshëm listat e veteranëve. Kanë kaluar tri vite dhe është dashur të përfundojnë më shpejtë mirëpo janë politizuar si komision. Sikur të kishin qenë serioz, ky proces do të ishte mbyllur brenda javës”, tha Qeriqi për KosovaPress.
Të bllokuar nuk do të jenë qytetarët që me veturat e tyre do kalojnë nëpër këtë rrugë, por kamionët me mallra që do të vijnë nga Maqedonia.
Krejt kjo sipas Qeriqit, është vendim i veteranëve të Kaçanikut.
Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk ka ndonjë informacion rreth kësaj proteste.
As Xhavit Jashari, si kryetar i OVL UÇK-së, nuk është i njoftuar për këtë protestë, por tha se listat do publikohen së shpejti.
“Po besoj që shumë shpejt do të përfundojnë këto lista dhe do të kryhen”, tha Jashari shkurt për KosovaPress.