Në kryeqytet çështja e furnizimit me ujë vazhdon të jetë problematike. Ndërtimi i fabrikës së ujit në Shkabaj, shihet si zgjidhje që i tejkalon telashet.
Në kryeqytet çështja e furnizimit me ujë vazhdon të jetë problematike. Ndërtimi i fabrikës së ujit në Shkabaj, shihet si zgjidhje që i tejkalon telashet.
Në rrugën Milloshevë – Obiliq po vazhdojnë punimet për projektin e Fabrikës së Ujit, aty ku është vënë gurthemeli nga Ujësjellësi Rajonal Prishtina në nëntor të vitit 2014. Në këtë lokacion ndodhet stacioni i pompave, por fabrika e ujit do të ndërtohet në Shkabaj.
„Ne veç jemi në përfundim të hapjes së trasesë për vendosjen e gypave transportues, gjithçka po shkon sipas planit dinamik, ndërkaq brenda 1 muaji do të fillojë ndërtimi i fabrikës në Shkabaj, sepse para se të fillojë ndërtimi i mureve të fabrikës duhet të përfundojnë disa punë nëntokësore siç janë vendosja e gypave transportues e mandej të vazhdohet me ndërtimin e fabrikës“, tha zëdhënësja e Ujësjellësit Rajonal Prishtina, Arjeta Mjeku.
Nga ndërtimi i fabrikës së ujit në Shkabaj do të përfitojë direkt Komuna e Prishtinës, Graçanicës, Fushë Kosovës dhe Obiliqit.
Nga ky projekt në mënyrë direkte do të përfitojnë rreth 350 mijë konsumatorë, ndërsa indirekte rreth 600 mijë të tjerë. Arjeta Mjeku, zëdhënëse e Ujësjellësit Rajonal ‘Prishtina’ thotë se funksionalizimi i kësaj fabrike kërkon shumë para për përpunimin e ujit, sepse do të ketë shpenzim shumë të lartë të energjisë elektrike. Ajo thotë se qytetarët do të duhet të paguajnë për shpenzimet e ujësjellësit dhe kanalizimit, përndryshe edhe atëherë do të mbesin pa ujë.
Nga ana tjetër, qytetarët po e presin realizimin e këtij projekti, për shkak të rëndësisë jetike që ka uji.
„Po uji nevojitet për çdo rast, ujë duhet me pasur gjithë, pa ndërprerje“.
„Dhashtë Zoti të gjitha ato premtime të realizohen dhe janë në interes të çdo qytetari. Tash në çfarë kohe jemi, në çfarë shekulli jemi një herë e përgjithmonë duhet të kryhet kjo çështje“.
Për këtë projekt, Ujësjellësi Rajonal Prishtina ka marrë kredi 20 milionë euro nga Banka Gjermane, ndërsa Komuna e Prishtinës, Qeveria e Kosovës dhe Komisioni Evropian kanë dhënë donacion nga 5 milionë euro, secili prej tyre.