Lideri i Aleancës për Kosovë të Re Behgjet Pacolli thotë se dita e sotme, me protestën ishte e vështirë për Kosovën, por se po rrezikohet e nesërmja.

Pacolli nëpërmjet Facebook, tha se Kryeministri Isa Mustafa duhet të shkarkoj Ministrin Aleksandër Jabllanoviq.

Shkrimi i plotë i Pacollit në Facebook:

Kosova sot ndodhet në një ditë të vështirë. Ne të gjithë duhet të punojmë me maturi që e nesërmja të mos jetë po kaq e vështirë sa e sotmja, apo më e vështirë akoma.

Pse Kosova sot gjendet në një ditë të vështirë dhe rrrezikohet dhe e nesërmja? Pse kanë munguar përgjegjshmëria dhe reformat sovrane, kam thënë që nga dita e parë e protestave.

Duhet përgjegjshmëri në nivel personal- ministri Jablanoviq do duhet ta japë vetë dorëheqjen.

Duhet përgjegjshmëri në nivel të kryeministrit: nëse Jablanoviq nuk e jep vetë dorëheqjen, atëherë profesor Mustafa duhet ta largojë. Qeveria krijohet nga koalicionet e partive, dhe kryeministri zgjedh vetë se me cilin ministër do të qeverisë. Në çdo vend të botës është kështu.

Duhet përgjegjshmëri dhe nga ana e udhëheqësve të protestës. Protesta ka në themel kërkesa të ligjshme, por kur abuzohet me dhunë, atëherë kemi tejkalim të së drejtës.

Dhe le të vimë tek çështja e Trepçës.

Pse LDK-ja, Vetëvendosja, AAK-ja, disa ekspertë të ekonomisë që sot kanë ardhur tek idetë e mia e kundërshtonin në maj të 2014-ës, projektligjin që e bënte Trepçën kompani publike?

Pse Serbisë i intereson më mirë që kompleksi Trepça të administrohet nga AKP-ja, armikja më e madhe e ekonomisë së Kosovës, sesa të jetë kompani publike?

Serbia s’ka sovranitet mbi Kosovën dhe as mbi pasuritë e saj, por pse ne po e lejojmë që ajo të ketë sovranitet mbi pasuritë tona?

Pse Vetëvendosja në janar 2015 e ka shndërruar në flamur të protestës kërkesën themelore të ligjit tonë të majit 2014, që Trepça të shndërrohet në kompani publike?

Pse PDK u bind vetëm në maj të 2014-ës për këtë ligj që ne si partnerë të saj e propozonim prej vitesh, ligj që do ta shpëtonte Trepçën?

Pse të gjithë kundërshtonin, apo pse e mbroja unë atë ide që prej 2007-ës?

Pse isha unë autor i platformës që parashikon nga A deri tek ZH shndërrimin e kompleksit Trepça në një kompani publike multimiliardëshe?

A do kishte sot protestë për Trepçën nëse do të kishte miratim të ligjit të AKR-së që në maj të 2014?

A ja vlen të sakrifikohet Trepça vetëm për inat të Behgjet Pacollit? A ja vlen të sakrifikohet pasuria e Kosovës, jeta e qytetarëve për inate personale? A ka dikush turp për këtë?

Trepça kërcënohet dhe sot nga likuidimi me ligjin që u miratua.

– Unë e kam zgjidhjen që i jep sovranitetin Kosovës mbi Trepçën.

– Unë kam zgjidhjen që e bën Trepçën njerën ndër kompanitë më të fuqishme në botë në fushën e mineraleve.

– Unë kam dhe diturinë dhe guximin.Për zgjidhjen e çështjes së Trepçës duhet dituri,guxim dhe veprim në kohën e duhur.

Mjerisht kjo qeveri nuk i ka këto cilësi dhe ka humbur dhe po humbet shumë kohë.

WP Radio
WP Radio
OFFLINE LIVE