Kryeministri Isa Mustafa, duke iu përgjigjur ultimatumeve të partive opozitare për shkarkim të ministrit Aleksandar Jabllanoviq, thotë se zgjidhjet e problemeve nuk arrihen me ultimatume.

Deklaratën e tij të plotë të postuar në rrjetin Facebook, mund ta lexoni të plotë më poshtë.

“Kemi kaluar 15 vite të pasluftës dhe shtatë vite nga shpallja e pavarësisë duke bërë përpjekje që të ushtrojmë pushtetin në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe të integrojmë të gjithë qytetarët në institucionet e vendit, ku veriu i vendit nxori shumë sfida. Është hera e parë në këtë mandat të Kuvendit të Republikës së Kosovës të kemi deputetë nga veriu i vendit dhe anëtarë të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Është interes jetik i Kosovës që të krijojmë ura bashkëpunimi me të gjitha komunitetet, për të përmbyllë mosmarrëveshjet, mosbesimin ndaj institucioneve dhe për tu kthyer në zgjidhjen e problemeve që po i brengosin çdo ditë qytetarët tanë.

Jam i vetëdijshëm se kjo nuk është punë e lehtë, ka moskuptime të cilat janë thelluar nga lufta dhe për një periudhë të gjatë të pasluftës, por ne duhet të jemi të vetëdijshëm që moskuptimet duhet ti kapërcejmë, jo përmes ndarjes por, përmes komunikimit.

Është me interes të punojmë së bashku pozitë dhe opozitë dhe me minoritete për ta integruar vendin. Ky është interes që na bashkon, jo që na ndan.

Zgjidhjet nuk mund t’i gjejmë përmes ultimatumeve dhe kushtëzimeve por me përkushtimin tonë që të ballafaqohemi me sfidat më të mëdha të këtij vendi. Një ndër sfidat më të rëndësishme është të krijojmë ura bashkëpunimi me të gjitha komunitetet për të ushtruar sovranitetin në tërë territorin e Republikës së Kosovës, për të bërë Forcat e Armatosura të Kosovës dhe për të përmbushë kriteret e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ne së bashku mund ta luftojmë krimin e organizuar dhe korrupsionin, të zhvillojmë ekonominë dhe të hapim vende të punës, për çka nuk dyshoj se nuk kanë interes pozita dhe opozita, nuk kanë interes shumica dhe komunitetet joshumicë. Nuk ka asnjë çështje e cila nuk mund të zgjidhet, por nevojitet mirëkuptim dhe përkushtim pozitiv i të gjithëve. Unë jam I përkushtuar të punoj me të gjithë dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës”

WP Radio
WP Radio
OFFLINE LIVE