Terrorizmi ndërkombëtar është një nga problemet shqetësuese të shoqërisë bashkëkohore dhe kjo epokë jo rastësisht njihet si epoka e terrorizmit ndërkombëtar.

E, nga terrorizmi është e prekur edhe Kosova, në një formë apo në një tjetër, thotë profesori i terrorizmit ndërkombëtar në Universitetin e Tetovës, Bashkim Selmani.

Sipas Selmanit, Kosova gjendet në fazën e parë të kërcënimeve. Organizatat e ndryshme të ardhura në Kosovë pas luftës, thotë ai, shfrytëzuan vakuumin ligjor për të përgatitur në prapaskenë veprime terroriste, derisa vinin si organizata humanitare.

Sipas tij, roli dhe funksioni i institucioneve fetare në Kosovë duhet të jetë më i shtuar, me aktivitete, në përzgjedhjen e predikuesve dhe elementeve të ndryshme.

Për të përgatitur dhe për t’u involvuar në organizata terroriste, sipas Selmanit duhen plotë tri dekada.

“Decenia e parë është përzgjedhja e këtyre individëve ose këtyre kategorive; decenia e dytë është trajnimi i tyre në një apo në formë tjetër; dhe, faza e fundit është deri tek vetë viktimizimi ose flijimi”, ka thënë ai për Kosovapress.

Videoja e publikuar javë më parë në internet ku një shtetas i Kosovës kërcënon se do të ndodhin akte terroriste në Kosovë, janë veprime dhe deklarata individuale, por që janë një paralajmërim për institucionet e Kosovës. Ndaj, Selmani thotë se Kosova duhet të jetë më tepër e fokusuar në aspektin ekonomik, që t’i trajtojë ata njerëz dhe këto kategori, sepse ka individë që për shkaqe ekonomike vetëflijohen. Madje, ai thekson se nuk është vonë që institucionet të përgatisin një trup institucional të veçantë që do të merrej drejtpërdrejt me hulumtimin e këtyre rasteve. / RTKLive.com

WP Radio
WP Radio
OFFLINE LIVE