Deputeti i Vetëvendosjes, Ilir Deda, ka propozuar themelimin e një Gjykate për Krime Lufte me Seli në Prishtinë si kundërpërgjigje ndaj refuzimit të Gjykatës Speciale që i ka bërë dje Kuvendi i Kosovës.

Deda ka thënë se tash pas dështimit të Gjykatës në Parlament duhet të ulen pozita e opozita për të gjetur zgjidhje pa inate e barrikadime.

Ai ka thënë se Kosova duhet të pajtohet për dëshmi dhe mbrojtje të dëshmitarëve jashtë vendit e që janë të rrezikuar në Kosovë.

Lexojeni të plotë propozimin e Ilir Dedës:

Tash, pa inate, të gjitha partitë politike në Kuvend duhet të ulen dhe ta propozojnë alternativën e Kosovës ndaj Gjykatës Speciale që nuk kaloi dje. As nuk duhet Qeveria të inatoset dhe për inat ta procedojë amandamentin e dështuar kushtetues, dhe as nuk duhet të barrikadohet opozita.

Tash duhet të mirremi vesh për Gjykatën e Kosovës për Krime Lufte. Gjykatë të njëjtë çfarë kanë Kroacia, Bosnja e Serbia. Mund ta bëjmë këtë Gjykatë të Kosovës për Krime Lufte, me seli në Prishtinë; edhe nëse është me gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë; të bëhen gjykimet në Kosovë për çfarëdo pretendimi; dhe të pajtohemi për dëshmi dhe mbrojtje të dëshmitarëve jashtë Kosovës që janë të rrezikuar këtu.

Ekziston edhe rruga e cila e sforcon shtetin tonë dhe pjekurinë politike dhe shoqërore për ballafaqim me të gjitha krimet e kryera në Kosovë, dhe jo vetëm sipas pretendimeve të Martyt. Pa inate, pa barrikadim. / Reporteri

WP Radio
WP Radio
OFFLINE LIVE