O ju musliman, frikojuni Allahut dhe falënderoni shumë Atë nëse ua mundëson që ta arrini muajin e Ramazanit dhe kërkoni prej Tij që t’ju begaton e ta shfrytëzoni këtë muaj në agjërim, namaze vullnetare dhe adhurime tjera. Ramazani është sezon i madhërishëm dhe mejdan i gjerë në veprimin e mirësive dhe faljen e gjynaheve. Njiheni vlerën e tij dhe madhëroni çështjen e tij dhe pajiseni vetveten në këtë muaj me vepra të mira dhe mirësi.

Agjërimi i muajit Ramazan është një prej shtyllave të Islamit dhe detyrë e çdo muslimani. Allahu urdhëroi në agjërimin e tij dhe ia detyroi çdo robi të Tij duke thënë: O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi”. Bekare 183,dhe “Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë!”. Bekare 185.

Detyrohet çdo musliman i rritur dhe me mendje të shëndoshë ta agjëron muajin e Ramazanit. Nëse është i sëmurë me sëmundje që ka shërim dhe nuk mundet t’i përballon agjërimit apo është udhëtar në rrugë të gjatë lirohet prej agjërimit dhe ato ditë i zëvendëson me ditë tjera: “Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë! Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar”. Bekare 185. Nëse është në pleqëri të thellë apo i sëmurë me sëmundje që s’ka shërim dhe nuk mundet t’i përballon agjërimit, atëherë ai nuk agjëron dhe për çdo ditë e ushqen nga një të varfër dhe nuk i zëvendëson ato ditë me ditë tjera: “Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi”.  Bekare 184. Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “I është lehtësuar të moshuarit në vite që nuk mundet t’i përballon agjërimit të mos agjëron dhe ta ushqen nga një të varfër për çdo ditë”.

Gruaja me menstruacione dhe lehona nuk u lejohet të agjërojnë dhe ato ditë që nuk i agjërojnë i zëvendësojnë me ditë tjera. Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj,  kur është pyetur, se: Pse gruaja me menstruacione e bën kaza agjërimin dhe nuk e bën kaza namazin, ajo është përgjigjur, se kështu ka qenë praktika e grave gjatë kohës kur ishte gjallë i Dërguari, alejhi salatu ue selam.

Fëmija i cili ende nuk e ka arritur moshën e pjekurisë nuk është i detyruar të agjëron, mirëpo nëse ka mundësi t’i përballon agjërimit e urdhërojmë që të agjëron me qëllim që të kalitet dhe ta stërvit shpirtin në adhurim dhe agjërimi i tij i pranohet si vullnetar.

O ju robërit e Allahut, me agjërim nënkuptojmë abstenim apo përmbajta nga ushqimet, pijet dhe marrëdhëniet bashkëshortore për hir të Allahut, prej imsakut e deri në perëndimin e diellit. Allahu, azze ue xhel, thotë:” Tani është e lejuar për ju që, gjatë netëve të agjërimit, të shkoni me bashkëshortet tuaja. Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin derisa të bjerë mbrëmja. Mos iu afroni atyre (bashkëshorteve) gjatë kohës kur mbylleni për adhurim në xhami! Këta janë kufijtë e Allahut, prandaj mos iu afroni atyre! Kështu, pra, Allahu ua shpjegon njerëzve urdhëresat e veta, që ata të ruhen nga të këqijat”. Bekare 187.

Allahu na qartësoi në këtë ajet se fillimi i agjërimit është prej agimit e deri në perëndimin e diellit. Për këtë arsye Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, nxiti që të vonohet syfyri dhe të përshpejtohet iftari me qëllim që të përfundon syfyri me agim dhe të fillon iftari me perëndimin e diellit dhe me këtë t’i përshtatet urdhrit të Allahut dhe dispozitave të Tij. Nuk është prej traditës së Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, ngrënia e syfyrit herët dhe vonesa e iftarit pas perëndimit të diellit. Poashtu nuk lejohet ngrënia e syfyrit pas agimit dhe ngrënia e iftarit para se të perëndon dielli dhe ai që e vepron këtë me qëllim nuk i pranohet agjërimi.

Agjërimin e prish ngrënia dhe pija me qëllim dhe çdo gjë që ka të njëjtat efekte si ushqimi dhe pija, si barnat, gjilpërat me vitamine, etj. Poashtu e prish të vjellët qëllimisht, por nëse ndonjë vjell pa qëllim, kjo nuk e prish agjërimin. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Kujt i përzihet dhe vjell nuk është i detyruar ta plotësojë atë ditë më vonë” dhe “Kush vjell me qëllim, duhet ta plotësojë (agjërimin) më vonë”.

Prej gjërave që e prishin agjërimin është edhe nxjerrja e gjakut me hixhame ose pastrim gjaku.  I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “E ka prishur agjërimin ai që bën hixhamen dhe atij që i bëhet hixhamja”.

Prej gjërave që e prishin agjërimin është edhe dalja e spermës për shkak të ledhatimit apo puthjes, masturbimi, menstruacionet dhe lehonia.

Poashtu prej gjërave që e prishin agjërimin është edhe marrëdhëniet bashkëshortore gjatë ditës së agjërimit. Ai i cili e bën këtë vepër duhet ta zëvendëson atë ditë me ditë tjetër dhe të shpaguan. Shpagimi është lirimi i një robi, nëse nuk ka mundësi agjërimi i dy muajve njëri mbas tjetrit, nëse nuk mundet atëherë ushqimi i gjashtëdhjetë të varfërve. Përjashtohet nga ajo që përmendëm rasti kur bashkëshortët janë udhëtarë dhe kryejnë marrëdhënie duke qenë agjërueshëm, sepse agjërimi për udhëtarët nuk është i detyruar, për ata kërkohet që ta kompensojnë këtë ditë pas Ramazanit.

O ju musliman, gjërat e lartpërmendura që e prishin agjërimin janë perceptuese dhe ai që i vepron detyrohet me kaza. Ekzistojnë edhe gjëra morale që e dëmtojnë agjërimin duke ia humbur shpërblimin apo pakësuar dhe vepruesi i saj nuk detyrohet me kaza. Prej tyre është përgojimi, bartja e fjalëve, sharja, ofendimi, shpifja, shikimi në atë që e ka ndaluar Allahu të shikojmë, dëfrimi me muzikë dhe instrumente muzikore, etj.

Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë se Muhamedi, alejhi salatu ue selam, ka thënë:“Agjërimi mbron nga morali i keq sepse ai që agjëron nuk flet gjëra të turpshme dhe nuk bërtet. Nëse (eventualisht) e shanë ndokush ose e sulmon, le të thotë: “Unë agjëroj, unë agjëroj”.

Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë se Muhamedi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Zoti nuk ka nevojë për njeriun që e braktisë ushqimin e pijen e nuk e braktisë fjalën e keqe dhe veprën e ligë”.

Nëse agjëruesi hanë apo pinë me harresë nuk i prishet agjërimi. Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë se Muhamedi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Kush harron gjatë agjërimit e pinë dhe han, le ta vazhdojë agjërimin sepse Zoti e ka ushqyer dhe i ka dhënë të pijë.”

Agjëruesit i lejohet të nuhat erën e parfumeve, kjo nuk ndikon në agjërimin e tij. Poashtu i lejohet të flladitet me ujë duke e shpërlarë gojën ose duke e larë kokën ose duke e larë tërë trupin ose duke hyrë në një vend të ftohët për arsye se kjo i ndihmon gjatë agjërimit. Nëse i depërton pluhuri apo avulli apo ndonjë insekt në gojë nuk i prishet agjërimi për arsye se kjo ndodh pa dëshirën e tij.  Nëse dikush ka rrjedhje gjaku nga hundët apo nga dhëmbët edhe kjo nuk e prish agjërimin, pasi kjo nuk është në dorën e njeriut, është diçka e paqëllimshme. Nëse dikush e nxjerr dhëmbin dhe del gjak edhe kjo nuk e prish agjërimin.

O ju musliman, ruani agjërimin e juaj prej gjërave që e prishin agjërimin. Veproni vepra të mira, shpeshtoni lutjet, përmendjen e Allahut dhe leximin e Kuranit në këtë muaj dhe jeni të sinqertë në të gjitha veprat e juaj dhe kërkoni prej Allahut që t’ua pranon veprat.

nga arabishtja: Irfan JAHIU

WP Radio
WP Radio
OFFLINE LIVE