Islami është fe monoteiste e mbështetur në dy fondamente bazë të saj: Kur’anin-libër hyjnor si dhe në porositë dhe praktikën e të dërguarit Muhammed a.s.
Nisur nga fakti i thellësisë kuptimore dhe domethënieve shumëdimensionale që ka Kur’ani, ai nuk ishte dhe nuk është as sot si një libër i thjeshtë, i cili mund të kuptohet, shkoqitet dhe interpretohet nga njerëz krejtësisht të rëndomtë, të cilët nuk janë njohës dhe studiues të tij.
Shpjegues i parë dhe i saktë i Kur’anit ishte Muhammedi a.s., i ngarkuar me misionin e pejgamberisë për të kumtuar mesazhin hyjnor tek masa njerëzore.
Pas kalimit në amshim të Muhammedi a.s., përgjegjësinë e vazhdimit të shpjegimit dhe komentimit të Kur’anit e morën shokët e tij të njohur në literaturën islame si “sahabët” dhe pas tyre shokët e shokëve të tyre “tabiinët”.
Në mungesë të mjeteve të shkrimit dhe evidentimit, i gjithë shpjegimi dhe analiza kur’anore si dhe ajo e përgjithshme islame për rreth gati dy shekujt e parë, nga lindja e Islamit, ishte kryesisht i formës gojore.
Të dhënat historike të cilat kanë përcjell zingjirin komentues të Kur’anit tregojnë se një komentar i plotë i tij është shkruar rreth 270 vjet pas vdekjes së Muhammedit a.s nga Imami Muhamed bin Xherir et-Taberij, edhe pse më herët besohet se kanë ekzistuar komente parciale si ajo e Alij bin el-Medenij, të evidentuara në kuadër të librave të Hadithit, por jo edhe si një shkencë e veçantë.
Nga leximi i literaturës së hershme mbi ekzegjezën kur’anore mund të konkludohet se Muhammedi a.s. nuk e ka komentuar gjithë tekstin e Kur`anit në të gjallë të tij.
Urtësia dhe sekreti i një mos veprimi të tillë ndërlidhet me faktin evolutiv dhe statik të tij. Në Kur’an ka shumë vargje-ajete që nuk lënë hapësirë të komentimit të jashtëm.
Ato kryesisht janë të prera dhe dogmatike. Pjesa tjetër për të cilat ekzistojnë shpjegime të sakta pejgamberore nuk mund të mbikomentohen nga të tjerët. Ndërsa pjesa e cila lejon qasjen e jashtme, e që besohet se është pjesa dërmuese e tekstit kur’anor ishte dhe është gjithmonë në dispozicion të dijetarëve të kohës dhe qasjeve të reja.
Këtë realitet më se miri e dëshmon prezenca e larmishme e qindra komentarëve të Kur`anit në botën islame. Po të kishte vetëm një komentim të plotë të Kur`anit nga ana e Muahmmedit a.s., atëherë nuk do të kishte mundësi dhe alternativë që ai të komentohet ndryshe përveç komentimit të tij, sepse ndryshe çdo shpjegim tjetër i ri jashtë tij do të konsiderohej i devijuar.
Kjo formë po të ishte evidente do të qonte në pasivizimin e të menduarit dhe thellimit të përsiatjes njerëzore rreth tekstit të tij si dhe do të binte në kundërshtim të drejtpërdrejtë edhe me porositë shumta tekstuale kur`anore të cilat njeriun e thërrasin për të lexuar, studiuar dhe logjikuar mbi përmbajtjen dhe dimensionet kuptimore të tij.
Komentimet njerëzore jashtë Kur’anit dhe jashtë shpjegimeve pejgamberike nuk janë të shenjta e as nuk konsiderohen të pandryshueshme. Ato gjithmonë mund të jenë relative; të sakta dhe jo të sakta.
Gjatë leximit dhe krahasimit të veprave të shkruara nga autorë të ndryshëm mbi analizën dhe interpretimin e Kur’anit përgjatë shekujve, ne hasim në qasje të ndryshme interpretuese si; tradicionale-konzervative, racionale, filozofike, linguistike, letrare, mistike, politike e deri te ato bashkëkohore.
Ndërsa, në kuadër të përmbajtjes së tyre gjejmë edhe frymën dhe ngjyrën e drejtimeve islame kryesore; sunite, shiite, pastaj atë të drejtimeve dhe shkollave të ndryshme juridike si dhe të fraksioneve dhe sekteve islame, të lindura e të themeluara përgjatë periudhave të ndryshme kohore pas Muhammedit a.s.
Diversiteti dhe pluraliteti e mendimit islam si dhe ndarja e autorëve në qëndrime të ndryshme mbi përmbajtjen e tekstit kur’anor nuk kanë lindur për shkak të Kur`anit si mesazh hyjnor, por për shkak të shkallës, qasjes, këndvështrimit, rrethanave historike e gjeografike si dhe nivelit perceptues të studiuesve të Kur`anit.
Në këtë kontekst vlen të theksohet se qendrat islame në botën myslimane në përgjithësi, nuk e kanë pasur një qasje krejtësisht të duhur ndaj këtij libri, sepse deri në fillim të shekullit 19 përkthimi i tekstit kur’anor në gjuhë të tjera është konsideruar si veprim i ndaluar, jo për diçka tjetër, por nga frika e zbehjes së shenjtërisë se tij.
Prandaj si rrjedhojë e kësaj, shumë pjesëtar të botës myslimane në mungesë të përkthimit e kanë lexuar atë vetëm përmes tekstit të gjuhës arabe, duke mos e kuptuar edhe domethënien e tij. Kjo formë e leximit, e mbështetur vetëm mbi bazën e devotshmërisë dhe pasimit shpirtëror, padyshim se ka shkaktuar dekadencë në kuptimin e saktë të mesazhit hyjnor.
Sot fatmirësisht kjo barrierë gjuhësore është tejkaluar, sepse përkthimi i Kur`anit është bërë gati në të gjitha gjuhët aktive të botës.
Si libër i besimit shpirtëror, i dyti me radhë në gjithë botën njerëzore, Kur’ani nuk mund të gjykohet si shkaktar i gjendjes së pafavorshme dhe destabilizuese që po mbretëron në mesin e shoqërive të sotme myslimane, siç ndoshta edhe mund të pretendoj dhe besojë dikush, por kryesisht si rezultat i mos perceptimit, kuptimit dhe qasjes jo të drejtë ndaj përmbajtjes dhe mesazhit thelbësor të tij.
Interpretimi i ngurtë, i pasimi i verbër pa analiza dhe krahasime, nënshtrimi i tij nën ndikimin e ideologëve dhe ideologjive të momentit dhe rrethanave të caktuara si dhe të fanatizmave dhe adeteve të çoroditura, janë shkaktarët kryesorë të shtrembërimit të esencës, porosisë dhe mësimeve autentike të Kur’anit.
Dera e interpretimit dhe analizës së re të tekstit kur’anor nuk ishte dhe nuk është e mbyllur as sot, mirëpo jo gjithsecili që nuk ka parapërgatitje profesionale dhe adekuate e gëzon një të drejtë tillë.
Urteksti i Kur’anit është statik, por jo edhe mendimi mbi të!