Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka mbledhur Këshillin e Sigurisë së Kosovës, ku u shqyrtua gjendja e sigurisë në vend, pas ngjarjeve të fundit tragjike në Paris.
Duke vlerësuar hapat e ndërmarrë deri më tani nga institucionet e shtetit, kryeministri Isa Mustafa, theksoi se Kosova duhet të jetë e përgatitur në të gjitha aspektet që të përballet me kërcënimet e ekstremizmit të dhunshëm, terrorizmit dhe rrjeteve të krimit të organizuar.
“Kosova është pjesë e aleancës globale kundër terrorizmit dhe vazhdon të luaj rol domethënës duke bashkëpunuar ngushtë me SHBA-të dhe shtetet tjera aleate, në përballje me këtë fenomen dhe rrezik global. Institucionet e sigurisë si Policia e Kosovës dhe Agjencia Kosovare për Inteligjencë (AKI) kanë punuar shumë në këtë aspekt dhe kemi rezultate të dukshme në hetimin dhe arrestimin e individëve dhe grupeve të dyshuara terroriste dhe rrjeteve kriminale. Qeveria dhe institucionet tjera, poashtu, kanë punuar në zhvillimin e infrastrukturës ligjore”, tha kryeministri Mustafa, duke iu referuar miratimit të Ligjit që parandalon pjesëmarrjen e shtetasve të Kosovës në luftëra të huaja dhe Strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm.
Kryeministri Isa Mustafa theksoi se Republika e Kosovës duhet të jetë e përgatitur në të gjitha aspektet që të përballet me këto sfida dhe të jetë shumë efikase në parandalimin dhe adresimin e tyre, duke bashkëpunuar ngushtë me vendet e rajonit dhe aleatët tanë ndërkombëtarë.
Në takim, u bë e ditur se është bërë shtimi i masave dhe vigjilencës në vendet publike, institucionet publike, përfaqësitë diplomatike, objektet kulturore e fetare, si dhe në mjediset e përziera etnike.
Përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe të AKI-së raportuan mbi gjendjen e sigurisë, me ç’rast konfirmuan që institucionet janë në nivel të detyrës dhe po bëjnë të gjitha përpjekjet që të parandalojnë çdo lloj kërcënimi për sigurinë në vend.
Gjatë takimit, kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, ka kërkuar nga institucionet relevante që të marrin menjëherë masat e nevojshme për të ofruar siguri në komunikacionin rrugor anekënd Kosovës, duke pas parasysh shqetësimet legjitime të qytetarëve, pas rritjes së numrit të aksidenteve me pasoja në njerëz, që kanë ndodhur kohët e fundit. / RTKLive.com