Për herë të parë në një studio televizive shqiptare, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka rrëfyer në studion e “Top Show” në Top Channel, përballë gazetarit Alban Dudushi, prapaskenat e ngjitjes së saj në Presidencë, paragjykimet me të cilat përballet në zyrën e kreut më të lartë të shtetit vetëm sepse është grua, betejat e saj për mbrojtjen e grave të dhunuara, ISIS-i, por edhe se ku do ta shikojmë atë pas përfundimit të mandatit të Presidentes, në prill të vitit 2016.

Jahjaga i ka shpjeguar gazetarit Alban Dudushi edhe arsyet e kësaj vizite të vonuar në Shqipëri, por nuk ngurron të tregojë të vërtetën edhe për prapaskenat e bashkëpunimit të munguar me Serbinë, në këtë valë eksodi që përfshiu Kosovën në fund të vitit që lamë pas, por dhe në fillim të këtij viti.

Për një gjë ajo nuk ka dyshime, që dialogu me Serbinë do të përfundojë me njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë dhe, për Presidenten Jahjaga, ky është një rezultat pa alternativë. Duke lënë mënjanë modestinë si kryetare e shtetit, Jahjaga deklaron se kur të largohet nga zyra e Presidencës, ajo do të ketë lënë trashëgimi një udhëheqësi kushtetuese të paprecedent, pasi ka ditur të jetë mbi palët dhe të mos ndikohet nga emocionet.

Sa i përket Gjykatës Speciale, Jahjaga shprehet se nuk ka pasur presione dhe se ky do të jetë një premtim i mbajtur për të pastruar figurën e Kosovës përballë ndërkombëtarëve.

Alban Dudushi: Për herë të parë për një vizitë shtetërore, për herë të parë në një studio televizive shqiptare, është Presidentja e Kosovës, zonja Jahjaga. Mirëserdhët! Në fakt do t’ju pyes edhe sesi shkoi vizita juaj në Shqipëri, por ajo që më vjen ndërmend së pari është, përse kaq vonë një vizitë shtetërore?

Presidentja Atifete Jahjaga: Alban, meqë është vizita e parë që bëj dhe është një ndër intervistat e para që jap në studiot e televizionit tuaj, së pari dua t’ju përshëndes juve, të gjithë stafin realizues të televizionit tuaj dhe të gjithë shikuesit shqiptarë, kudo që janë. Unë, kur vij në Shqipëri, ndihem si në shtëpinë time. Kam ardhur në Shqipëri edhe herë të tjera, sepse jam adhuruese e madhe e bregdetit shqiptar. Të gjitha pushimet e mia verore i kam kaluar këtu.

Alban Dudushi: Edhe këtë vit?

Presidentja Atifete Jahjaga: Edhe këtë vit, edhe pse ishte pushim shumë i shkurtër, isha sërish këtu.

Alban Dudushi: Ku?

Presidentja Atifete Jahjaga: Isha në Durrës.

Alban Dudushi: Aty ku shkojnë pjesa më e madhe e kosovarëve?

Presidentja Atifete Jahjaga: Faktikisht isha në skaj të Durrësit, kështu që pata rastin të pushoj disa ditë. Unë kam pasur takime me Presidentin Nishani, me ish-Presidentin Topi, me zyrtarë të lartë të institucioneve të Republikës së Shqipërisë, si këtu në Shqipëri, edhe jashtë saj. Aspektet e vizitës zyrtare janë çështje, të cilat harmonizohen në bazë të protokolleve të kabineteve të dy presidencave tona. Mirëpo, e them edhe njëherë, që unë në Shqipëri ndihem si në shtëpinë time. Edhe pse kjo është vizita ime e parë shtetërore, unë vij shpesh këtu dhe do të vazhdoj të vij sërish.

Alban Dudushi: Duket se, meqë ndiheni si në shtëpinë tuaj, nuk e keni ndierë nevojën të bëni një vizitë shtetërore?

Presidentja Atifete Jahjaga: Jo, absolutisht nuk është ajo.

Alban Dudushi: Ama, tani në fund të mandatit po e bëni këtë vizitë?

Presidentja Atifete Jahjaga: Jua thashë edhe më herët, që vizitat zyrtare janë rezultat i punës së përafërt, të ftesave zyrtare dhe protokollove, që bëhen mes presidentëve dhe kabineteve presidenciale, e kjo është ndonjëherë edhe jashtë axhendave tona. Por, këto janë çështje protokollare.

Alban Dudushi: Po këtë herë, çfarë kishte të frytshme kjo vizitë shtetërore?

Presidentja Atifete Jahjaga: Axhenda ishte jashtëzakonisht e ngarkuar. Fillova me një takim shumë të ngrohtë, të përzemërt me Presidentin Nishani. Pastaj vazhduan takimet me kryetarin e Kuvendit e kryeministrin, ku u diskutuan çështje të përbashkëta mes vendeve tona. U diskutuan edhe disa çështje të përmirësimit të bashkëpunimit mes nesh. Përveç kabinetit tim, në delegacion kam marrë edhe dy ministra të kabinetit qeveritar të Republikës së Kosovës.

Alban Dudushi: Ministrin e Bujqësisë dhe…?

Presidentja Atifete Jahjaga: Ishte ministri i Bujqësisë dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, në mënyrë që të ofrojmë mundësi pak më të mëdha, që të diskutojmë disa gjëra më në thelb dhe të zhvillojmë disa çështje më hollësisht mes nesh.

Alban Dudushi: Në këto fusha çalojnë më shumë punët, meqë keni marrë këto dy ministra me vete? Flas në nivel të bashkëpunimit mes dy vendeve tona… Apo ka shumë gjëra për t’u përmirësuar? Për shembull, gjëra të aspektit kulturor; televizionet, këngëtarët, skena e estradës janë unifikuar në një lloj kuptimi. Ekonomia duket se është ajo, që çalon më shumë?

Presidentja Atifete Jahjaga: Marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë të tilla, që shkojnë përtej këtij kuptimi tradicional të shteteve. Të gjithë ne e kuptojmë kontekstin historik e kulturor të gjakut, të gjuhës e të historisë mes Kosovës dhe Shqipërisë. Marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë forcuar pothuajse në të gjitha fushat. Mendoj se, këto vitet e fundit kemi shënuar progres të konsiderueshëm, sa i përket avancimit të bashkëpunimit të Kosovës dhe Shqipërisë. Tani kemi bashkëpunim politik, ekonomik, tregtar, por edhe të shkëmbimit kulturor. Unë jam e përkushtuar, si Presidente e Kosovës, që të thellojmë këtë bashkëpunim. Juve iu referuat edhe marrëveshjeve mes dy qeverive dhe ne kemi një numër të madh marrëveshjesh. Vetëm në këto dy mbledhjet e fundit, që janë mbajtur midis dy kabineteve qeveritare, janë nënshkruar diku te 12 marrëveshje, të cilat kanë pasur si fokus të veçantë thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar. Mendoj se duhet ta vlerësojmë më shumë bashkëpunimin në aspektin e zbatimit konkret të këtyre marrëveshjeve.

Alban Dudushi: Në fakt, duket sikur janë më shumë deklarative, sesa është bërë punë në terren. Unë kam pasur rastin të jem herë pas here në Kosovë dhe shqetësimet kryesore janë: sa ndërmarrje të Kosovës kemi në Shqipëri, sa ndërmarrje të Shqipërisë kemi në Kosovë, sa vëllim shkëmbimi tregtar kemi mes dy vendeve… Lë shumë për të dëshiruar apo jo?

Presidentja Atifete Jahjaga: Absolutisht që pajtohem me ju, sepse ne duhet të shohim më shumë rezultate konkrete në implementimin e këtyre marrëveshjeve. Për këtë arsye, në këtë vizitë shtetërore unë kam sjellë dy ministra, në mënyrë që të diskutojmë konkretisht çështjet dhe të thellojmë bashkëpunimin. Të shohim ku janë problemet, ku janë vështirësitë dhe çfarë duhet të përmirësohet, në mënyrë që të kemi një intensifikim të gjerë. Këtë e bëjmë me qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë dhe ndërtimin e mirëqenies. Shoh që kemi shumë hapësirë për të zgjeruar bashkëpunimin në fusha të ndryshme mes dy vendeve tona. Jo vetëm në këto fusha që ne përmendëm, por të marrim – për shembull, – ne ende nuk kemi ndonjë projekt të përbashkët substancial kulturor. Përkundër vullnetit dhe përkundër zotimeve që kemi dhënë, por edhe përkundër vullnetit të elitës kulturore të të dyja vendeve tona, ne ende nuk kemi pasur një projekt substancial kulturor. Pra, duhet të fillojmë me kthimin e simbolikave që përçojnë një mesazh të madh për qytetarët dhe mbarë rajonin. Ju përmendët edhe aspektin e investimeve. Të gjithë e dimë se ne i dëshirojmë. Duke filluar që nga unë, por edhe çdo qytetar i Kosovës dëshiron të shohë më shumë investime nga Shqipëria në Kosovë, të shohim më shumë investime nga Kosova në Shqipëri. Duhet ta pranojmë se, biznesmenët tanë kanë probleme të shumta, të natyrave të ndryshme, qofshin edhe burokratike, të cilat ne duhet t’ua lehtësojmë. Duhet të mënjanojmë këto probleme dhe duhet t’ua lehtësojmë jetën atyre, sepse përmes lehtësimit të jetës së biznesit, ne do t’ua lehtësojmë jetën edhe qytetarëve tanë.

Alban Dudushi: Kjo, le të themi që ishte edhe një pjesë e rëndësishme, që Ju diskutuat gjatë vizitës në Tiranë, duke pasur parasysh edhe faktin që kishit me vete ministrat. Çështje të tjera, që u diskutuan përveç ekonomisë…?

Presidentja Atifete Jahjaga: Patjetër që, në fokus të kësaj vizite ishte edhe çështja e përkrahjes së madhe nga Shqipëria. Unë shfrytëzova rastin që, në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, të falënderoj të gjitha institucionet e Shqipërisë dhe shqiptarët për një përkrahje të vazhdueshme, që kanë dhënë për Kosovën dhe popullin e Kosovës në tërësi. U bisedua çështja e së ardhmes së Republikës së Kosovës, çështje të fuqizimit të rendit dhe të ligjit, sepse prioritet, si për Kosovën edhe për Shqipërinë, janë fuqizimi i rendit dhe qetësisë, lufta efikase kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Edhe pse kemi bashkëpunim të mirë, shoh ende hapësirë për fuqizimin e këtij bashkëpunimi, sepse përgjigjja më e mirë ndaj këtyre dukurive negative është bashkëpunimi i mirë.

Alban Dudushi: Le të kthehemi pak pas në kohë, znj. Presidente. Pikërisht në periudhën kur Ju u zgjodhët Presidente e Republikës së Kosovës. Ishte një lajm, për disa arsye. Ju ishit një personazh jo i përfshirë në skenën politike të Kosovës, ishit një grua dhe jeni ndoshta e vetmja grua kryetare shteti në Ballkan. Por, kurioze ishte edhe mënyra sesi Ju erdhët në Presidencë. Cili ishte kumbari juaj? Cilat ishin rrethanat, kur iu erdhi propozimi për t’u bërë Presidente?

Presidentja Atifete Jahjaga: Ju e dini që në vitin 2011, Kosova kalonte fazën e një krize të thellë politike. Kishte dhënë dorëheqjen një President, pastaj ishte zgjedhur Presidenti i ri në vend. Gjykata Kushtetuese kishte marrë një vendim, që procedura e zgjedhjes së tij nuk ishte respektuar dhe, në atë kohë, 3 partitë kryesore në vend kishin dalë me qëndrimin për të përkrahur kandidatin konsensual për President të vendit. Unë nuk kam qenë pjesë e marrëveshjes për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, por mua më është ofruar detyra që t’i shërbej vendit në atë periudhë jashtëzakonisht të vështirë për Kosovën, për qytetarët e saj, gjatë një krize të thellë politike, kur ishin sfiduar institucionet e vendit dhe kur besimi i qytetarëve tanë në to sa vinte e rrënohej.  Unë them se, nuk ka nder dhe privilegj më të madh, sesa t’i shërbesh vendit tënd. Nuk ka nder dhe privilegj më të madh, sesa të jesh përfaqësues i vendit tënd në një moment të rëndësishëm dhe vendimtar, siç ishte Kosova në atë kohë, në një moment vendimtar për shtetin tonë dhe qytetarët tanë.

Alban Dudushi: Kështu që, Ju nuk patët dilema për ta pranuar propozimin?

Presidentja Atifete Jahjaga: Askush dhe asnjëherë, jo vetëm unë, por asnjë qytetar nuk duhet të ketë dilema, kurdo që duhet të shërbesh për vendin dhe qytetarët e tij. Sepse, në atë moment nuk është në pikëpyetje vetvetja, por janë në pikëpyetje vetë shteti dhe qytetarët e saj.

Alban Dudushi: Ju po e ndiqnit në atë periudhë, të gjithë atë “tollovi” politike që kishte ndodhur? Kishte dhënë dorëheqjen Presidenti Sejdiu, Qeveria ishte e paqëndrueshme dhe kaloi në zgjedhje të parakohshme. Ishte prapë një situatë, kur nuk po gjendej konsensusi për Presidentin. Ju, në atë kohë, ishit nëndrejtoreshë e Policisë së Kosovës, apo jo? E ndiqnit politikën? Ishit e interesuar? Apo ishit e fokusuar te detyra juaj?

Presidentja Atifete Jahjaga: Natyrisht, sikurse çdo qytetar i Kosovës, edhe në atë post kam përcjellë zhvillimet politike në vend, gjendjen dhe situatën në të cilat gjendeshin institucionet e vendit. Në atë kohë isha në detyrën që ju përmendët, që kishte të bënte me ofrimin e kapaciteteve të mia në rritjen e vazhdueshme dhe profesionale të institucionit të Policisë së Kosovës, që ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga institucionet më të besueshme. Dhe, të them të drejtën, asnjëherë nuk kam pasur as këmbënguljen, as qëllimin që të bëhem pjesë e spektrit politik.

Alban Dudushi: Pra, juve ju erdhi si “rrufe në qiell të pastër”?

Presidentja Atifete Jahjaga: Mund të kuptohet edhe kështu, për rrethanat që kanë qenë në atë kohë.

Alban Dudushi: Është sekrete, apo mund të na e thoni se, cili ishte ai që Ju propozoi? Kujt i vajti mendja te Ju?

Presidentja Atifete Jahjaga: Ende nuk ka ardhur koha, por një ditë do të shpalosen në kujtimet e mia, që unë do t’i shkruaj patjetër në të ardhmen.

Alban Dudushi: Shkollimi juaj ka qenë në Prishtinë, ku Ju keni mbaruar Fakultetin Juridik, por pastaj keni ndjekur trajnime e specializime në SHBA. Shumë vetë thonë se, ishin pikërisht amerikanët, që Ju morën dhe Ju sollën këtu…?

Presidentja Atifete Jahjaga: E them përsëri, që këto çështje nuk janë për t’u zbuluar dhe diskutuar tani, por do të vijë një kohë, kur të gjitha këto sekrete do t’i vendos në kujtimet e mia, kurdo që të kem kohë, pas përfundimit të mandatit tim kushtetues si Presidente e vendit. Ndoshta për dikë do të jenë befasuese, e për dikë tjetër jo të tilla.

Alban Dudushi: Ndërkohë, do t’Ju pyes edhe se çfarë do të bëni, pasi të përfundojë mandati. E theksova edhe në fillim, duke qenë ndoshta e vetmja grua kryetare shteti në të gjithë Ballkanin Perëndimor, natyrisht një person që është në krye të shtetit, ashtu siç ka lavdërime, ka edhe kritika. Por, a keni ndierë Ju nota seksizmi në kritikat ndaj jush? E kam fjalën për pozicionim ndaj jush për shkak të të qenit grua dhe jo për shkak të asaj se çfarë bëni?

Presidentja Atifete Jahjaga: Absolutisht që po! Unë kam thyer shumë barriera gjatë karrierës sime. Kam qenë gruaja e parë, që ka pasur pozitën më të lartë në kuadër të një institucioni, siç ka qenë Policia e Kosovës, që – sikurse ka qenë gjithmonë, – kuptohet si një profesion i rezervuar për meshkujt. Me zgjedhjen time si Presidente e Kosovës, unë kam bërë histori jo vetëm për vendin tim, por edhe për të gjithë Ballkanin, pse jo edhe më gjerë. Detyrat, përgjegjësitë dhe gjërat e njerëzit, me të cilët merrem unë, nuk dallojnë aspak me detyrat e përgjegjësitë e një Presidenti mashkull, kudo që veprojnë nëpër vende të ndryshme të botës. Natyrisht që jam ballafaquar me shumë probleme, sfida, madje edhe me një lloj qasjeje seksiste. Shpeshherë, mendimi im është gjykuar vetëm se jam grua, ka pasur edhe një përqindje të opinionit publik që më ka paragjykuar, por mund të të them se unë jam ndierë shumë rehat me atë çfarë përfaqësoj. Dy milionë qytetarë të Republikës së Kosovës janë shumë të përkushtuar dhe të përqendruar, që unë të ndërtoj një shtet të qëndrueshëm, një shtet në prosperitet dhe një shtet demokratik. Unë jam votuar në Kuvendin e Kosovës me 2/3-tat e votave dhe asnjëherë nuk e kam kthyer kokën pas, që të paragjykoj këtë besim dhe këtë mbështetje që më është dhënë.

Alban Dudushi: Politika, në përgjithësi është e egër. Imagjino sa e egër është politika e burrave. U ambientuat shpejt? E kam fjalën, duke mos qenë një personazh politik, duke mos qenë një personazh që kishit ambicie politike, a u ambientuat shpejt në gjithë këtë vorbull të intrigave politike dhe gjithë kthinave që ka politika?

Presidentja Atifete Jahjaga: Patjetër që më është dashur të ambientohem dhe, normalisht që, janë bërë edhe shumë gabime. Por këto janë gabime, që kanë qenë pjesë e punës së vazhdueshme. Dua të them se kam pasur një përkrahje të fuqishme, duke respektuar normalisht Kushtetutën e ligjet e vendit, nga të gjitha institucionet dhe spektri politik i vendit, por gjithmonë duke ruajtur atë neutralitetin e zyrës sime në kuadër të partive politike, por edhe në lidhje me ndarjen e pushteteve me institucionet e tjera. E them përsëri se, për mua ka qenë një nder dhe privilegj t’i shërbej vendit tim, t’u shërbej qytetarëve të Kosovës, t’u shërbej institucioneve të vendit tim.

Alban Dudushi: Thatë pak më parë që Ju bëtë histori. Dhe jo vetëm historinë tuaj, por edhe të Ballkanit, duke qenë Presidentja e parë grua. Në një vend si Kosova, në një shtet si Kosova, që ashtu si Shqipëria është një shoqëri maskiliste deri diku… Duke thënë këtë nënkuptojmë që gratë dhe femrat e tjera, ato që nuk janë në pozicionin tuaj, nuk janë në një pozitë më të mirë sesa dje. Çfarë keni bërë Ju për to?

Presidentja Atifete Jahjaga: Absolutisht që kam bërë. Përkundër detyrave të mia kushtetuese dhe ligjore, ka qenë edhe një detyrim – moral mbi të gjitha, – që të përkujdesem për fuqizimin e rolit të gruas në shoqërinë tonë. Gruaja në Kosovë ka luajtur një rol të rëndësishëm. Ajo ka qenë pjesë e të gjitha proceseve, në të cilat shteti ynë ka kaluar, qoftë në periudhën e rezistencës, qoftë në periudhën e luftës, qoftë në periudhën e ndërtimit të shtetit tim. Ka qenë fokusi im i veçantë në fuqizimin dhe avancimin e rolit të gruas, përmes projekteve dhe nismave të ndryshme, duke siguruar që gruaja të jetë e përfaqësuar si në jetën institucionale, ashtu edhe në atë politike e vendimmarrëse. Veçanërisht, fokusi im ka qenë në procesin e vendimmarrjes, që të kemi përfaqësim të grave në të gjitha nivelet.  Ju e dini se në Kosovë, një vit më parë kemi adaptuar një kuotë prej 30%, që parashikon në kuadër të ligjeve të Kosovës, përfaqësimin e grave në jetën institucionale, veçanërisht, si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë lokal. Kjo është zbatuar deri më sot. Për shembull, 1/3-ta e Kuvendit përbëhet nga gratë, por pas krijimit të Qeverisë së fundit, kjo përqindje ka rënë. Menjëherë pas marrjes së detyrës nga ana e kryeministrit të ri, unë kam ftuar në takim atë dhe, një ndër kërkesat e mia të para ka qenë ajo se “ku janë gratë?”.

Alban Dudushi: Në qeveri?

Presidentja Atifete Jahjaga: Ku janë gratë në qeveri? Ku është përfaqësimi i tyre? Ku është respektimi i ligjit?

Alban Dudushi: Cila ka qenë përgjigjja?

Presidentja Atifete Jahjaga: Përgjigjja ka qenë: “E dimë, por më jep pak kohë dhe patjetër do ta përmirësoj këtë”. Ka disa muaj kohë, por ende nuk është arritur në nivelin e dëshirueshëm. Kjo çështje përbën një rikujtim timin të vazhdueshëm, që bëj ndaj institucioneve të vendit. Situata nuk dallon shumë nga Kosova në Shqipëri, por nuk dallon as prej vendeve të tjera në rajon. Ne kemi evoluuar shumë si shoqëri, si në Shqipëri edhe në Kosovë, dhe në këtë drejtim ka evoluuar edhe roli e pozita e gruas në shoqëri. Mirëpo ne duhet të këmbëngulim tashmë në qëndrueshmëri. Duhet të fillojmë të mënjanojmë idenë e të interesuarit për “a kemi përqindjen e nevojshme”, “a kemi përqindjen e domosdoshme”? Këtë duhet ta bëjmë një normë të rregullt të funksionimit dhe operimit brenda jetës sonë, qoftë institucionale apo shoqërore. Por, baza dhe thelbi i fuqizimit të rolit të gruas, them se nuk është vetëm nëpër institucione – duke marrë parasysh një garant, – por është te familja! Ne kemi ende punë për të bërë për fuqizimin e rolit të gruas në familje, e nga aty të kemi fuqizimin e madh të gruas edhe në shoqëri. Një çështje tjetër që dua ta prek këtu, kur kemi të bëjmë me çështjen e grave, është njëra me të cilën unë jam marrë menjëherë pasi kam marrë detyrën time. Ju e dini që Kosova ka pasur një të kaluar shumë të rëndë. Ne kemi pasur dhjetëra e mijëra qytetarë të Kosovës, që janë vrarë dhe masakruar, kemi pasur me qindra qytetarë, që ende rezultojnë të zhdukur në varrezat masive në territorin e Kosovës, por edhe jashtë saj. Por ne kemi edhe mbi 21 mijë gra, që janë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës, të cilat kanë qenë në mëshirën e askujt për këto 15 vite, pas përfundimit të luftës.

Alban Dudushi: Kjo është me të vërtetë shumë e rëndësishme. Mos gaboj, dy vite më parë, Top Channel ka realizuar një dokumentar shumë tronditës, pikërisht me këto gra, viktima të dhunës seksuale gjatë kohës së luftës. Duke qenë shpesh atje dhe duke biseduar edhe me aktivistë të shoqërisë civile, më kanë treguar se është një nga gjërat “tabu” në Kosovë, është një nga gjërat që nuk përmendet. Ato gra, përveç se kanë vuajtur në atë kohë, vazhdojnë të vuajnë edhe sot stigmatizimin edhe ndaj familjarëve të tyre, për shkak të asaj që kanë pësuar në atë kohë…

Presidentja Atifete Jahjaga: Absolutisht po! Kjo ka qenë edhe pikënisja e nismës sime, që kam themeluar vitin e kaluar. Kam krijuar Këshillin Kombëtar për trajtimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës. Këto gra, jo vetëm që nuk kanë qenë në mëshirën e askujt, por është ajo që thatë edhe ju: ka qenë një temë “tabu”. Ka qenë një temë, që nuk është lejuar të diskutohet në shoqërinë tonë, kanë qenë të stigmatizuara, së pari nga familja e tyre, nga rrethi i tyre, e më pas nga e gjithë shoqëria. Për ato gra, lufta nuk ka përfunduar ende. Edhe 15 vite pas përfundimit të luftës, ende në shpirtin e mendjen e këtyre grave ka luftë, ka dhimbje, ka vuajtje dhe kjo vuajtje u është rritur gjithnjë e më shumë përmes stigmatizimit të shoqërisë, që u është bërë me vetëdije apo pa vetëdije, kësaj shtrese të prekur.

Alban Dudushi: Çfarë bën ky Këshill Kombëtar?

Presidentja Atifete Jahjaga: Ky këshill ka përfshirë të gjitha institucionet e vendit, ministritë, ka përfshirë edhe shoqërinë civile. Pikësynimi kryesor është njohja e statusit ligjor të këtyre grave, që parashikon të njëjtat trajtime sikurse viktimat civile të luftës. Pastaj është marrë me riintegrimin, rehabilitimin dhe risocializimin e këtyre viktimave të dhunës. Ky këshill u ka dhënë zë këtyre grave dhe zëri më i fuqishëm është dëgjuar gjatë instalacionit të fundit, që patëm në ditën e Çlirimit. Ishte një instilacion artistik në qendër të Prishtinës, ku u shfaqën 5 mijë funde dhe fustane të mbledhura vullnetarisht, të grave dhe vajzave në të gjithë territorin e Kosovës, që së pari ka pasur për qëllim rritjen e vetëdijes te qytetarët tanë dhe, së dyti, përkrahjen e këtyre grave në Kosovë, sepse nuk ka qenë turpi i tyre, nuk është faji i tyre.

Alban Dudushi: Si reagon shoqëria?

Presidentja Atifete Jahjaga: E thashë edhe më herët, që kjo ka qenë një temë “tabu”, por që prej një viti, ajo është një pikë qendrore diskutimi në çdo komunë të Kosovës, në çdo vend të Kosovës. Ende kemi punë për të bërë, sidomos në fuqizimin ekonomik të këtyre grave, pasi fuqizimi ekonomik u jep zë këtyre grave. I bën më të pavarura dhe i bën më të zëshme në kërkimin e drejtësisë. Dhe, e dyta, por që është më e rëndësishmja, është qasja në drejtësi. Ende, që pas përfundimit të luftës, ne nuk kemi asnjë autor të këtyre veprave makabre, i cili të jetë dënuar për këto krime. Pra, kemi ende punë për të bërë. Presioni kryesor që duhet bërë, normalisht është ndaj Serbisë, që duhet të hapë dosjet dhe të bashkëpunojë me Kosovën për zbardhjen e këtyre krimeve. Gjithsesi edhe ndërkombëtarizimin  e statusit të këtyre grave, sepse ua kemi ne borxh. Kosova ua ka borxh, sepse ato janë heroinat tona.

Alban Dudushi: Jemi rikthyer në këtë pjesë të dytë, jo pa qëllim me një këngë të Muharrem Qenës, “O vendi im”, që “spiunët” tanë na thanë se e keni shumë për zemër.

Presidentja Atifete Jahjaga: Me të vërtetë e kam shumë për zemër dhe u emocionova tani, teksa kjo vajza (Kamela Islamaj) e këndoi me një zë të jashtëzakonshëm.

Alban Dudushi: Ke kohë për t’u marrë me muzikën? E konsumoni artin, tani që jeni në zyrën e Presidentes?

Presidentja Atifete Jahjaga: Pak kohë mbetet për këto aktivitete, por gjithmonë mundohem në maksimum. Veçanërisht ftesat e artistëve në Kosovë mundohem t’i përkrah dhe së paku t’i nderoj me praninë time. Për mua nuk do të thotë shumë, por për ata thotë shumë një përkrahje dhe një mbështetje e fuqishme, për të cilën ata kanë nevojë, sidomos në këto rrethana.

Alban Dudushi: Sa kohë keni, për shembull, pa vallëzuar pa bashkëshortin tuaj?

Presidentja Atifete Jahjaga: Ndoshta një muaj. Kishim një dasmë familjare dhe atje ishim të pranishëm.

Alban Dudushi: Ndonjëherë, kur bashkëshortja është në detyra të rëndësishme, burri duket sikur është më në hije. A e ka përjetuar mirë të qenit në Presidencë bashkëshorti juaj?

Presidentja Atifete Jahjaga: Dua të them se, kam pasur një përkrahje të jashtëzakonshme mbi të gjitha nga familja ime. Edhe më herët e kam thënë se, kam thyer barriera të shumta dhe këto barriera nuk mund t’i thyesh pa pasur një përkrahje të fuqishme, më së pari nga ata që ke në krah, nga familja jote. Kam pasur përkrahjen e babait tim, të nënës sime, të vëllait tim dhe tani kam një përkrahje të fuqishme edhe nga bashkëshorti im, Astriti, i cili ka qenë pranë meje pa marrë parasysh rrethanat. Ai ka qenë një shtytje e fuqishme, e të gjitha këtyre fazave që unë kam kaluar. Nganjëherë kanë qenë të mira, nganjëherë të rënda, por kanë qenë pjesë e punës dhe jetës sonë të përbashkët.

Alban Dudushi: Meqë e nisëm me muzikën; Muharrem Qena është më i dashuri ndër artistët për Ju, apo ka edhe këngëtarë të tjerë që i pëlqeni?

Presidentja Atifete Jahjaga: Është një ndër artistët më të dashur për mua, veçanërisht domethënia e kësaj kënge. Ka të bëjë shumë me atë që unë besoj fuqishëm, që duhet ta ngulisë secili prej nesh në zemrat dhe në mendjet tona: dashurinë për atdheun, dashurinë për vendin tonë! Kjo këngë shpjegon shumë për bukuritë e secilit vend, atë se çfarë dashurish duhet të zhvillojmë për vendet tona.

Alban Dudushi: Jeni melankolike në muzikë, apo Ju pëlqen në muzikë edhe Bled Sejko, në kitarë, kur e djeg me “Hard Rock”, “Heavy Metal”, etj?

Presidentja Atifete Jahjaga: Të ndryshme, nuk zgjedh edhe aq!

Alban Dudushi: Të kthehemi te disa çështje më serioze. Emigracioni masiv i jashtëligjshëm është një problem serioz në Shqipëri, e gjithashtu në Kosovë. Këtu e kam fjalën për emigracionin e kosovarëve drejt Gjermanisë. Sipas jush, në analizën tuaj, cilat janë shkaqet? Kush janë përgjegjësit?

Presidentja Atifete Jahjaga: Fatkeqësisht, ne jemi përballur me disa fotografi dhe skena shumë të rënda, në përfundim të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, të ikjes së qytetarëve tanë nga Kosova. Unë, si qytetare e Kosovës dhe si Presidente e vendit, nuk kam mundur të rri duarkryq ndaj asaj çfarë po ndodhte. Dola të bisedoj me gjithsecilin prej qytetarëve në shumë komuna dhe qytete të Kosovës, që të kuptojmë prej së afërmi situatën se çfarë po ndodhte. Pikërisht arsyen se përse po iknin.

Alban Dudushi: Ekonomike besoj…?

Presidentja Atifete Jahjaga: Janë faktorë të ndryshëm, qofshin të brendshëm, ashtu dhe faktorë të jashtëm. Së pari, është ndjenja e stanjacionit të përgjithshëm në rajon; së dyti, është aspekti i premtimeve për një zhvillim të hovshëm brenda shtetit, për gjenerimin e vendeve të reja të punës; pastaj është edhe mungesa e lirisë së lëvizjes, sepse Kosova është ende vendi i vetëm në këtë pjesë të Europës Juglindore, ku nuk është hapur ende procesi i liberalizimit të vizave. Pastaj, ka pasur edhe elementë kriminalë të përfitimit të trafikantëve në këtë proces. Pra ka qenë një kombinim i faktorëve të ndryshëm, por ne si institucione kemi reaguar menjëherë. Kemi filluar të marrim masa në parandalimin e një hovi kaq të madh të qytetarëve tanë, që shkonin drejt vendeve të Bashkimit Europian. Por, në këtë proces nuk kemi pasur një bashkëpunim me shtetin fqinj në veri të Kosovës, Serbinë, sepse korridori që i përcillte emigrantët tanë përfundonte në territorin e Serbisë. Ata kishin një sjellje, që të linte të nënkuptohej se nuk dëshironin të kishin bashkëpunim.

Alban Dudushi: Bashkëpunim për t’i kthyer apo…?

Presidentja Atifete Jahjaga: Bashkëpunim për t’i kthyer, për t’i ndaluar, për çfarëdo lloj kërkese, që shteti ynë ka pasur. Nuk kemi hasur në përkrahjen e tyre dhe nuk kemi pasur përgjigje pozitive. Së paku, të mos jepnin përgjigje pozitive për Kosovën, por të përmbushnin detyrimet e tyre. Ju e dini shumë mirë se, çdo vend që ka hyrë në procesin e liberalizimit të vizave, ka një detyrim shtesë nga BE-ja, të cilin Serbia nuk e ka kryer as ndaj Bashkimit Europian, as ndaj Kosovës si shtet fqinj. Ndërsa ne, si institucion, kemi ndërmarrë të gjitha masat, të gjitha veprimet e nevojshme për parandalimin e kësaj dukurie që kishte filluar dhe, brenda një muaji kemi arritur ta ulim në minimumin e mundshëm. Nga mijëra qytetarë, i reduktuam deri në dy apo 3 qytetarë të tjerë që dëshironin të iknin ilegalisht nga Kosova. Njëherësh kam kërkuar nga institucionet e vendit, që të shqyrtonin në mënyrë emergjente planet ekonomike të tyre, mundësitë e gjenerimit të vendeve të punës, për të hapur një perspektivë krejtësisht tjetër për qytetarët tanë. Në këtë çështje janë edhe elementet e rinisë dhe të dinamikës. Jemi një popullsi shumë e re. 60% e popullit të Kosovës është nën moshën 30-vjeçare. Kështu që është një dinamikë jashtëzakonisht e madhe.

Alban Dudushi: Edhe papunësia është më e lartë…?

Presidentja Atifete Jahjaga: Edhe papunësia është më e lartë, por ne duhet që këtë potencial njerëzor ta kthejmë në gjenerim në kuadër të vendit, në forcimin dhe avancimin e vendit tonë. Pra kemi marrë masa, kemi adresuar menjëherë gjërat dhe kemi ulur këtë përqindje të daljes së qytetarëve. Kjo qëndron gjithmonë një sfidë për Kosovën. Po marr një shembull konkret: qytetarët e Kosovës mund të shkojnë pa viza vetëm në një shtet dhe ai është shteti i Turqisë.

Alban Dudushi: Është edhe Shqipëria… Edhe Maqedonia, po ashtu…?

Presidentja Atifete Jahjaga: Nuk e llogarisim qarkullimin mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Alban Dudushi: Ju i prekët disa nga arsyet dhe unë po i marr edhe njëherë me radhë. Po kujtoj për shembull se, kryefjala e fushatës së fundit zgjedhore në Kosovë ka qenë pikërisht ekonomia, nga i gjithë krahu politik, me një garë të jashtëzakonshme premtimesh mbi atë se çfarë do të bënin, nëse merrnin qeverinë. Tani kemi një qeveri koalicioni të gjerë, siç është ajo mes LDK-së dhe PDK-së. Ju si i shikoni? A po i mbajnë premtimet këto dy forca politike, që kanë krijuar koalicionin?

Presidentja Atifete Jahjaga: Premtimet elektorale, nëse i kanë mbajtur apo jo, është elektorati që i vlerëson, është qytetari që i vlerëson.

Alban Dudushi: Qytetarët, në përgjithësi janë të pakënaqur. Unë po Ju pyes juve: në analizën tuaj, çfarë mendoni?

Presidentja Atifete Jahjaga: Unë ua lë qytetarëve. Është qytetari, ai që vlerëson a janë përmbushur premtimet, apo jo, dhe në çfarë mase janë përmbushur ato. Mendoj se gjendja ekonomike dhe zhvillimi ekonomik janë baza qendrore dhe jetike për zhvillimin e mëtejshëm të një vendi. Zhvillimin ekonomik, unë e shoh të lidhur ngushtë me sundimin e rendit dhe të ligjit. Ne si shtet kemi ende shumë punë për të bërë sa i përket fuqizimit të rendit dhe të ligjit, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Unë kam këmbëngulur ndaj institucioneve të vendit, veçanërisht ndaj qeverisë, që të përshkallëzojë më tutje reformat ekonomike, t’i thellojë ato, që të hapen mundësi për investime të huaja, që do të gjenerojnë vende të reja pune për qytetarët, për të rinjtë dhe të rejat tona. Ka qenë në fokusin tim kryesor, gjatë këtyre 4 viteve si Presidente e Kosovës, përkundër përmbushjes së detyrimeve të mia, jo vetëm në Kosovë, por duke e shtyrë më tej procesin e nevojshëm të reformave, edhe jashtë Kosovës. Kam bërë një advokim të jashtëzakonshëm për tërheqjen e investimeve të huaja, duke e shfaqur Kosovën si një vend të sigurt për to.

Alban Dudushi: A ia keni dalë?

Presidentja Atifete Jahjaga: Së fundi dua të marr një shembull konkret. Kam ndihmuar në bashkëpunimin ekonomik mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, e brenda këtyre dy viteve (përfshi aktualin) do të kemi disa projekte madhore, të cilat do të gjenerojnë një qasje krejtësisht të re sa i përket zhvillimit ekonomik të vendit. Shpresoj që t’i përmbushin edhe ata detyrimet që kanë marrë mbi vete e të ecim përpara. Zhvillimi ekonomik shkon në mënyrë të drejtë me të gjitha proceset e tjera të shtetit, garanton qëndrueshmërinë dhe funksionimin e mirëfilltë të shtetit.

Alban Dudushi: Popullata atje ka një ndjenjë frustrimi, për disa arsye. Njëra prej tyre është ajo që Ju e përmendët pak më parë: çështja e liberalizimit të vizave. Është kthyer në një lloj “getoje” Kosova? Duket e pakuptimtë, që pikërisht vetëm Kosova është jashtë këtij procesi të lëvizjes së lirë, të cilën ne po e shijojmë prej disa vitesh. Mali i Zi po ashtu, sikurse Maqedonia, Serbia po e po, e këtu flasim për vende që janë pothuajse në një stad. Çfarë po ndodh? U premtua shumë, që brenda një viti mund të kishit liberalizim të vizave…?

Presidentja Atifete Jahjaga: Fatkeqësisht po, Kosova është i vetmi vend në rajon, që ka mbetur pa përfitimin e procesit të liberalizimit të vizave. Në vitin 2012 e nisëm atë me marrjen e udhëzuesit për liberalizimin e vizave dhe, nga atëherë, kemi pasur një numër të konsiderueshëm ekipesh vlerësuesish, të cilët kanë ardhur në Kosovë për të vlerësuar më konkretisht proceset që janë duke u zhvilluar. Në maj të këtij viti, ne kemi përmbushur të gjitha kriteret teknike, të cilat kanë qenë të parashikuara në kuadër të raportit të fundit të ekipit vlerësues. Një muaj më parë patëm një ekip tjetër vlerësues të BE-së, pas përmbushjes së kritereve teknike. Unë besoj fuqishëm se, ky raport i fundit që do të dalë nga ekipi i fundit që ishte në Kosovë, në korrik të këtij viti, do të bëjë një propozim dhe rekomandim pozitiv për procesin dhe hapjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, një proces i domosdoshëm për shtetin tonë.

Alban Dudushi: Sa kohë do të duhet për t’u përfunduar dhe për t’u bërë konkrete kjo histori?

Presidentja Atifete Jahjaga: Kjo varet nga Bashkimi Europian.

Alban Dudushi: Ju i keni plotësuar të gjitha detyrimet?

Presidentja Atifete Jahjaga: Ne i kemi përmbushur të gjitha detyrat dhe detyrimet. Në maj të këtij viti, e kemi përmbyllur këtë kapitull të përmbushjes të kritereve teknike, tani mbetet në duart e ekipeve vlerësuese të Bashkimit Europian, dhe unë besoj e shpresoj që të ketë një rekomandim pozitiv për Kosovën.

Alban Dudushi: Jemi duke folur për atë çfarë krijon një lloj frustacioni te popullata në Kosovë. Një nga ato është edhe çështja e dialogut, e marrëveshjeve me Serbinë. E fundit fare është bashkimi i komunave serbe. Kjo krijon frikën  e një lloj kantonizimi, një variant i Bosnjës për Kosovën. Si e shikoni?

Presidentja Atifete Jahjaga: Procesi i dialogut që kemi nisur 4 vite më parë, ka pasur për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë dhe ka qenë alternativa e vetme. Marrëveshja e fundit, e cila është arritur në Bruksel, pas takimit të dy kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, që ka pasur krijimin e Asociacionit të komunave, është edhe një detyrim nga ana e pakos së Ahtisaarit, pasi ne po i harrojmë disa detyrime që ne i kemi marrë përsipër më herët.

Alban Dudushi: Kjo parashikohet në pakon e Ahtisaarit?

Presidentja Atifete Jahjaga: Kjo parashikohet dhe është si vijueshmëri e pakos së Ahtisaarit.

Alban Dudushi: Nuk ka asgjë më tepër?

Presidentja Atifete Jahjaga: Nuk ka asgjë më tepër, për të mos thënë që ka edhe më pak sesa ishte parashikuar në kuadër të asaj pakoje.

Alban Dudushi: Nuk rrezikon kjo ndarjen dhe kantonizimin e Kosovës?

Presidentja Atifete Jahjaga: Absolutisht që jo. Asociacioni i komunave serbe në Kosovë është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Dhe, në asnjë çast nuk e bën ndarjen e pushteteve e nuk e krijon pushtetin e tretë në Kosovë.

Alban Dudushi: Një tjetër pikë që ka ngjallur debat të madh – dhe këtu do të ndalemi pak më gjatë, – është Gjykata Speciale. Pati një dështim të kalimit të ligjit në Parlament; u rimblodh Kuvendi më pas; u krijua një konfuzion i brendshëm dhe, natyrisht, kosovarët nuk janë të kënaqur me Gjykatën Speciale. Flas për publikun në Kosovë, por nga ana tjetër duket që ka një presion të madh ndërkombëtar. Pyetja e parë është: Deri në momentin e konstituimit të Gjykatës Speciale, pra deri në momentin e kalimit të ligjit, është e vërtetë që ka pasur edhe një lloj izolimi ndërkombëtar të Kosovës? Është e vërtetë që ambasadori juaj në SHBA e ka pasur shumë të vështirë të komunikojë me zyrtarët amerikanë, pikërisht si ‘dënim’ për moskalimin e ligjit për Gjykatën Speciale? Pati një presion të tillë ndërkombëtar?

Presidentja Atifete Jahjaga: Para se të kaloj te Gjykata Speciale, dua të them edhe diçka për dialogun. Procesi i dialogut, jo vetëm që do të normalizojë marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë, por ky proces do të përfundojë me njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Kjo është e paalternativë.

Alban Dudushi: Duket si një ëndërr më shumë…?

Presidentja Atifete Jahjaga: Nuk është ëndërr. Procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë do të përfundojë me njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë!

Alban Dudushi: Duket sikur Presidenti apo kryeministri i parë i Serbisë, që do të ndërmarrë një hap të tillë, do të përfundojë si Gjingjiç apo edhe më keq…?

Presidentja Atifete Jahjaga: Këto janë çështje për konsumim të brendshëm të politikës së Serbisë.

Alban Dudushi: Dua të them që, publiku atje s’besoj se është kaq entuziast ndaj një historie të tillë…?

Presidentja Atifete Jahjaga: Nuk ka alternativë tjetër Alban! Kjo është alternativa e vetme. As për Kosovën, as për Serbinë, as për bashkësinë ndërkombëtare nuk ka kthim mbrapa. Ne duhet të ecim përpara dhe ecja jonë është njohja e Pavarësisë së Kosovës nga Serbia. E ardhmja e Kosovës, e ardhmja e Serbisë dhe e të gjitha vendeve të Europës Juglindore është drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ju e dini se cilat janë parakushtet e integrimit në BE. Ajo nuk dëshiron të importojë probleme, ata dëshirojnë të importojnë zgjidhje.

Alban Dudushi: Kthehemi te Gjykata Speciale… Nëse mundeni të më jepni një përgjigje të drejtpërdrejtë për këtë izolim që thashë, këtij presioni të shtuar ndërkombëtar, qoftë nga SHBA-të, qoftë nga BE-ja për Gjykatën Speciale?

Presidentja Atifete Jahjaga: Ne patëm marrë një detyrim ndërkombëtar vitin e kaluar, pas letërshkëmbimit që kemi pasur mes Presidentit të vendit dhe Përfaqësueses së lartë të Bashkimit Europian, për krijimin e kësaj gjykate në Kosovë. Një detyrim, që ishim të detyruar ta përmbushim. Ju mund të thoni presion, ju mund të thoni izolim, mirëpo ne nuk kemi hasur në një qasje të tillë. Gjatë gjithë këtij procesi, ne kemi pasur një përkrahje dhe mbështetje nga ana e partnerëve ndërkombëtarë në procesin e themelimit të Gjykatës Speciale.

Alban Dudushi: Pas rrëzimi të ligjit në Parlament, për herë të parë, reagimi i tyre ishte i dukshëm. Le të themi, ndërkombëtarët ishin të zhgënjyer. Ishte pothuajse pa doroshka, apo jo?

Presidentja Atifete Jahjaga: Mesazhet e tilla mund të interpretohen, edhe për ne si institucione, por edhe si udhëheqës. Ka qenë një interpretim i tillë, mirëpo Kosova ka dëshmuar të kundërtën, sepse kemi marrë një detyrim ndërkombëtar, që e kemi përmbushur, dhe këtë e kemi realizuar në gusht të këtij viti.

Alban Dudushi: Duket sikur Kosova paguan shumë haraçe për të arritur atë që do. Gjykata Speciale është një nga këto haraçe? Në gjykimin e shumëkujt, duket shumë e padrejtë që një Gjykatë Speciale ngrihet në vendin që ishte viktimë, dhe jo agresori i asaj çfarë ndodhi në fund të viteve ’90?

Presidentja Atifete Jahjaga: Kur flasim për Gjykatën Speciale, dëshiroj që këtë çështje ta kuptojmë në një kontekst pak më të gjerë. Dëshiroj që të jap një shpjegim të gjerë për opinionin në Shqipëri. Në vitin 2010, Kosova u përball me një raport të Këshillit të Europës, i cili ka ngritur akuza të rënda dhe serioze për krimet e luftës të bëra në Kosovë gjatë periudhës 1999-2000, pra gjatë dhe pas përfundimit të saj. Në qendër të këtyre akuzave kanë qenë krimet kundër komunitetit serb dhe kundër të ashtuquajturve bashkëpunëtorë të Serbisë. Këto akuza kanë dëmtuar në masë reputacionin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), kanë dëmtuar në masë të madhe figurat e pazëvendësueshme të UÇK-së dhe kanë dëmtuar në masë të madhe edhe shtetin e ri të Kosovës. Në atë kohë, ne ishim në një valë të madhe të njohjes së Pavarësisë. Gjykata Speciale është parë si domosdoshmëri, me qëllim që të krijojmë një proces të besueshëm, i cili do të adresojë njëherë e përgjithmonë këto pretendime që janë ngritur. E kemi për detyrim moral t’i adresojmë të gjitha këto përgjegjësi individuale, sepse kjo Gjykatë Speciale ka të bëjë me përgjegjësitë individuale për krimet që janë zhvilluar në Kosovë dhe të mos lejojë të njolloset lufta e vazhdueshme të UÇK-së. E kam thënë shpeshherë që, me themelimin e Gjykatës Speciale nuk do të paragjykohet lufta e lavdishme e UÇK-së dhe as përpjekjet tona për liri dhe çlirim. Sa i përket pjesës suaj të parë të pyetjes, mund të them se Kosova është betuar të ndërtojë një shtet të së drejtës, një shtet për përparimin e drejtësisë së të gjithëve dhe ne nuk do t’ia mohojmë drejtësinë asnjë qytetari tonë.

Alban Dudushi: Megjithatë, Gjykata Speciale – disa analiza thonë kështu, – pritet të shkaktojë një tërmet në politikën e Kosovës. Një tërmet, që – le të themi, – mund të çojë në zgjedhje të parakohshme…?

Presidentja Atifete Jahjaga: Nuk mund ta paragjykojmë situatën. Procesi i Gjykatës Speciale ka qenë një vendim i vështirë. Unë e kam thënë edhe në Kosovë: është për t’u përshëndetur qasja e spektrit politik në Kosovë, i cili ka përkrahur krijimin e këtij procesi, si një poçes të besueshëm, i cili njëherë e përgjithmonë do të largojë këto akuza, që rëndojnë rëndë në supet e Kosovës, në supet e institucioneve. Kudo që kam udhëtuar jashtë Kosovës, pa marrë parasysh a kam qenë në vizitë zyrtare, apo në vizitë shtetërore, a kam qenë në konferencë apo samit, nuk kam pasur asnjë rast të vetëm, gjatë të cilit nuk është ngritur çështja e Gjykatës Speciale, çështja e këtyre akuzave të Këshillit të Europës.

Alban Dudushi: Të mendojmë që kjo është sakrifica e fundit, që duhet të bëjë Kosova për të nxjerrë të vërtetën e saj përpara komunitetit ndërkombëtar. Po çfarë sjell kjo? A sjell një përshpejtim të afrimit të Kosovës ndaj Bashkimit Europian? A sjell kjo një përshpejtim dhe njohje të Kosovës edhe nga ato vende, që sot janë anëtare të BE-së, por nuk e njohin Kosovën? Cilat janë përfitimet e drejtpërdrejta, përveç atyre morale, që Kosova do të ketë nga konstituimi i kësaj Gjykate Speciale?

Presidentja Atifete Jahjaga: Patjetër që do të ketë përfitime gjatë proceseve të mëtejshme të Kosovës, jo vetëm në realizimin me krijimin e Gjykatës Speciale. Folëm pak më parë për procesin e liberalizimit të vizave. Kosova ka filluar gjithashtu një proces krejtësisht tjetër, që ka të bëjë me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, i cili është një moment i ri, një marrëdhënie kontraktuale që ka të bëjë mes Kosovës dhe vendeve të Bashkimit Europian, të cilat për Kosovën kanë ecur pak më ngadalë nga ç’është parashikuar. Shpresoj që, shumë shpejt, Kosova të nënshkruajë MSA-në, duke shënuar hapin e parë konkret tonin drejt procesit të integrimit, e duke vendosur kështu Kosovën në qendër të politikave të zgjerimit të BE-së. Ju e dini që ne kemi 5 shtete anëtarë të BE-së, të cilat nuk kanë njohur Pavarësinë e Kosovës. Një numër i tyre kanë pasur një qëndrim goxha të ngurtë deri më tani, por kemi filluar të shikojmë një lëvizje pozitive në qasjen e këtyre shteteve. Por, të jemi të qartë, mosnjohja e këtyre shteteve nuk ka të bëjë asnjëherë me raportet mes këtyre shteteve dhe Kosovës, por ka të bëjë me proceset dhe çështjet e brendshme të tyre. Miratimi i Gjykatës Speciale dhe proceset e tjera që kemi kaluar, konsideroj se duhen shfrytëzuar si momente të mira edhe nga ana e partnerëve tanë ndërkombëtarë, edhe nga vendet e BE-së, edhe nga ana e aleatëve tanë strategjikë, me qëllim avancimin e Kosovës dhe afrimin e saj drejt proceseve integruese.

Alban Dudushi: Do të flasim pak edhe për çështjet e sigurisë. Në fakt, mediat botërore janë mbushur me foto të Lavdërim Muhaxhirit, sa rrezikohet realisht Kosova nga terrorizmi islamik?

Presidentja Atifete Jahjaga: Fatkeqësisht as Kosova, as Shqipëria, as vendet europiane, por as vetë Shtetet e Bashkuara nuk kanë mundur të jenë imunë ndaj kërcënimeve globale të ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm. Kosova ka qenë e vendosur në përgjigjen e saj ndaj këtyre veprimeve të dhunshme dhe këtyre radikalizmave të dhunshëm, që janë shfaqur në Kosovë. Si Presidente e Kosovës jam zotuar edhe publikisht, se Kosova nuk do të jetë kurrë çerdhe e këtyre aktiviteteve ekstreme radikale, të cilat po cënojnë shtetin tonë, po cënojnë të ardhmen tonë, po destabilizojnë shtetin, demokracinë dhe lirinë tonë, të cilat i kemi fituar me aq mund.

Alban Dudushi: Kjo është sëmundje në fakt. Si një sëmundje që zë atë, që ka imunitet më të dobët, edhe kjo zë shtresat më të margjinalizuara, shtresat e varfra. Është një sëmundje që shkon, pavarësisht nga premtimet që jepni Ju?

Presidentja Atifete Jahjaga: Është një kërcënim global, që ne nuk duhet ta nënçmojmë. Vitin e kaluar, duke pasur parasysh këtë kërcënim të sigurisë kombëtare të vendit tonë, ne i kemi dhënë një përgjigje të fuqishme, i kemi dhënë një grusht të fuqishëm. Organet e sigurisë dhe të rendit të Kosovës, pas një varg operacionesh të organizuara në mënyrë jashtëzakonisht profesionale, kanë arrestuar një numër të madh të qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë qenë pjesëtarë të strukturave të organizatave terroriste të ISIS-it dhe organizatave të tjera. Po ashtu, i kanë trajtuar të gjithë ata individë, që nën petkun fetar janë munduar të indoktrinojnë të rinjtë dhe të rejat tona. Kemi mbyllur shumë organizata joqeveritare që kanë operuar si front në Kosovë, jo vetëm për këto aktivitete, jo vetëm për indoktrinimin e të rinjve dhe të rejave kosovare. Ne i kemi fuqizuar aleancat jo vetëm rajonale, por edhe ndërkombëtarisht, për luftimin dhe parandalimin e kësaj dukurie. Edhe njëherë e them, që ky është një kërcënim, që nuk duhet nënçmuar dhe duhet adresuar siç duhet.

Alban Dudushi: Ju thoni që e keni luftuar dhe natyrisht që kjo është përgjigjja e parë që të vjen në mend. Por, a është përgjigjja e vetme, pikërisht për këto farëza të radikalizimit që mund të mbijnë, mund të zhvillohen dhe mund të përhapen?

Presidentja Atifete Jahjaga: E përsëris, ne nuk duhet ta nënçmojmë një rrezik të tillë. Unë mendoj se Kosova i ka mekanizmat e nevojshëm institucionalë, që të luftojë dhe parandalojë radikalizimin politik në vend. Por, çështja e luftimit të radikalizmit nuk është vetëm punë e policisë. Nuk është vetëm e shërbimeve informative, nuk është punë vetëm e organeve të  rendit dhe sigurisë. Kjo përfshin edhe një gamë të gjerë institucionesh, të cilat duhet të bashkëpunojnë në parandalimin e kësaj dukurie. Kosova ka qenë një vend udhëheqës sa i përket një pune të bashkërenduar të bashkëpunimit të të gjithë institucioneve të vendit, jo vetëm në luftimin e kësaj dukurie, por edhe në parandalimin e saj. Kjo luftë nuk është mision i përmbushur dhe të gjithë jemi të vetëdijshëm, se ka ende goxha punë për të bërë edhe nga vendet e mëdha, që kanë vite që po e luftojnë. Ne kemi ende shumë punë për të bërë, por unë them se, çelësi i një lufte efikase ndaj ektremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm është bashkëpunimi ndërmjet vendeve e agjencive dhe bashkëpunimi midis forcave të rendit dhe sigurisë në përgjithësi. Këtë e ka dëshmuar shumë mirë Kosova, e përsëris që ka qenë udhëheqëse në rajon, sa i përket dhënies së një përgjigjeje të fuqishme dhe një grushti të fuqishëm ndaj këtyre veprimeve radikale në vend. Kemi parë disa javë më parë se, ka pasur edhe një operacion madhor në shtetin fqinj të Maqedonisë, por ne duhet të veprojmë sa më parë të jetë e mundur për ta eliminuar këtë dukuri, e të mos lejojmë që vendet tona, shtetet tona të bëhen çerdhe të këtyre aktiviteteve.

Alban Dudushi: Viktimat e asaj lufte, ku kontribuon edhe Muhaxhiri, kanë shpërthyer dhe janë futur në Europë. Gjatë këtyre ditëve është folur shumë në lidhje me krizën e refugjatëve, më e madhja – tha Kancelarja Merkel, – që pas Luftës së Dytë Botërore. Është hedhur ideja, që Kosova të vetofrohet duke pritur rreth 3 mijë refugjatë sirianë. Ju e mbështesni këtë ide?

Presidentja Atifete Jahjaga: Duke parë numrin e madh të refugjatëve që kishin kapluar thuajse të gjitha vendet e rajonit, jo vetëm Greqinë e Maqedoninë, unë kam kërkuar nga qeveria e vendit tim, që të bëjë një analizë të hollësishme në lidhje me të gjitha mundësitë e mjetet tona, sa i përket pranimit të një numri të konsiderueshëm refugjatësh, në qoftë se kjo do të na kërkohej si shtet. Vala e refugjatëve nuk pret vendime të institucioneve apo të qeverive, pasi sot janë në një shtet, të nesërmen gjenden në një shtet tjetër dhe ditën tjetër te tjetri. Kërkesa ime ishte që, si shtet dhe si institucione, duhet  të ishim të përgatitur, nëse Kosova do të ishte përballur me një kërkesë të tillë apo me një valë refugjatësh, që do të vinin e do të trokisnin në derën tonë.

Alban Dudushi: Ka disa shembuj të disa kryetarëve të qeverive të vendeve perëndimore, të cilët jo vetëm kanë hapur dyert, por kanë adoptuar familje dhe fëmijë. Ju do ta bënit diçka të tillë?

Presidentja Atifete Jahjaga: Pse jo. Nëse do të vinin në Kosovë, pse jo. Ne e dimë më së miri, se çfarë do të thotë të jesh refugjat. Për ne, këto përjetime janë ende të freskëta dhe jetojnë në mendjen dhe shpirtin e çdo kosovari. 15 vite më parë, rreth 600 mijë qytetarë të Kosovës janë lëvizur me dhunë nga territori i Kosovës, e ne jemi strehuar këtu tek ju. Këtë e thashë edhe në Kuvendin e Shqipërisë: shtëpitë tuaja janë shndërruar në shtëpitë tona. Ashtu kemi qenë në Maqedoni, ashtu kemi qenë edhe në Mal të Zi, por pjesa më e madhe kemi qenë në Shqipëri. Ne e dimë shumë mirë pra, nga ajo që kemi përjetuar vetë, çfarë është dhe çfarë do të thotë të jesh refugjat.

Alban Dudushi: Por, ndërsa ka një valë të kosovarëve që emigrojnë apo tentojnë të emigrojnë, dhe që kërkojnë azil në Gjermani, a nuk duket paradoks që në këtë situatë ju të prisni refugjatë? I ka “këllqet” Kosova për t’i mbajtur?

Presidentja Atifete Jahjaga: Arsyet e emigrimit të kosovarëve në vendet e BE-së janë arsye krejtësisht të tjera, kurse këto janë arsye krejtësisht humane. Janë strehim, sepse ikin nga zonat e luftës dhe ne nuk duhet të vendosim paralele mes këtyre dy rasteve.

Alban Dudushi: Të kthehemi pak te politika. Jemi në fund të mandatit tuaj presidencial. Cilat janë marrëdhëniet tuaja me partitë politike në Kosovë? Më saktësisht me partitë opozitare, të cilat në ngërçin e fundit që patën në lidhje me qeverisjen, ishin shumë kritike ndaj jush?

Presidentja Atifete Jahjaga: Unë kam marrëdhënie dhe raport korrekt me të gjitha partitë politike në vend, qofshin ato të pozitës, apo të opozitës. Puna e Presidentit të një vendi është jashtë ndikimeve partiake, Presidenti duhet të jetë neutral ndaj partive politike. Nuk ka qenë synimi im, që të ndërtoj një raport mes Presidentit dhe partive politike, mirëpo mund të them që gjithmonë më ka gëzuar fakti i një larmishmërie parlamentare politike në vend. Shpresoj që, shumë shpejt, kjo larmishmëri të fillojë të merret me debate konkrete të shoqërisë sonë, që prekin jetën e të gjithë qytetarëve. Gjatë periudhës së krizës, që juve iu referuat, për mua ka qenë e rëndësishme të respektoj Kushtetutën e vendit dhe çdo veprim i imi të ishte në përputhshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, sepse të gjitha detyrat dhe detyrimet e Presidentit burojnë nga Kushtetuta e vendit. Presidenti i vendit garanton funksionimin demokratik të institucioneve të vendit, është një faktor i unitetit dhe, gjatë gjithë kësaj periudhe, unë kam respektuar ndarjen e pushteteve, kam respektuar pavarësinë e institucioneve.

Alban Dudushi: Dukej sikur, në atë periudhë vepruat me shumë ngathtësi, gati-gati sikur nuk dinit se çfarë të bënit me një top, që iu kishte ardhur në dorë…?

Presidentja Atifete Jahjaga: Pa marrë parasysh paragjykimet e tjera, unë them se Kushtetuta e vendit nuk është sugjerim. Kushtetuta e vendit është detyrim për mua dhe të gjitha institucionet e tjera. Mua më gëzon jashtëzakonisht shumë fakti, që trashëgimia më e madhe që do të lë në këto 4 vite të mandatit tim, ka qenë udhëheqësia kushtetuese. Unë e quaj udhëheqësi kushtetuese, sepse është e paprecedentë.

Alban Dudushi: E paprecedentë?

Presidentja Atifete Jahjaga: E paprecedentë!

Alban Dudushi: Ndoshta edhe për shkak të profilit tuaj, që nuk vini nga partitë politike?

Presidentja Atifete Jahjaga: Po ai është detyrim kushtetues, pa marrë parasysh sfondin, pa marrë parasysh a vjen nga vija politike apo jo. Detyrat dhe roli i Presidentit janë shumë të qarta: të jetë faktor i unitetit, të jetë garantues i funksionimit demokratik të institucioneve, jashtë politikave ditore. Presidenti i vendit nuk duhet të jetë emocional, nuk duhet të jetë i ndikueshëm, nuk duhet të jetë në shërbim të përllogaritjeve politike. Duhet të jetë jashtë këtyre. Krenaria ime më e madhe është që, gjatë funksionimit përgjatë këtyre 4 viteve, kam mundur që t’ua ofroj këtë shërbim zyrës së Presidentit të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve.

Alban Dudushi: E pretendoni një mandat të dytë presidencial?

Presidentja Atifete Jahjaga: Mandati i Presidentit të Kosovës përfundon në prill të vitit 2016, mandati im përfundon në 2016-n.

Alban Dudushi: Por, ndërkohë, po mendoni për një mandat të dytë?

Presidentja Atifete Jahjaga: Mandati im përfundon në prill të 2016-s.

Alban Dudushi: Prilli i 2016-s është shumë afër dhe nuk e besoj dot, se nuk e keni menduar çfarë do të bëni pas përfundimit të mandatit…?

Presidentja Atifete Jahjaga: Të them të drejtën, nuk kam shumë kohë të mendoj se çfarë do të bëj në të ardhmen, sepse jam shumë e përkushtuar që të përmbush detyrat dhe detyrimet, që jo vetëm i kam detyrime ligjore, por disa i kam edhe shumë për zemër. Njëra ka të bëjë me viktimat e dhunës seksualë gjatë luftës, kam edhe një këshill që ka të bëjë me proceset e integrimit europian, si një pjesë e planit të funksionimit demokratik të institucioneve. Pastaj kam këshillin për luftën efikase kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kam një axhendë goxha të ngarkuar deri në prill të vitit të ardhshëm, që nuk më jep shumë kohë të mendoj se çfarë do të bëj. Por, them edhe njëherë se, mandati i Presidentit të Kosovës përfundon në prill të 2016-s.

Alban Dudushi: Politika është kthyer tani në pasion, nuk është më vetëm një çështje detyre? Apo është vetëm detyrë?

Presidentja Atifete Jahjaga: E thashë edhe më herët, që për mua ka qenë nder dhe privilegj, që t’i shërbej vendit tim, që t’u shërbej qytetarëve të mi. E kam marrë këtë detyrë me përgjegjësinë më të madhe, jo vetëm institucionale, por edhe morale. Në çdo hap, çdo qelizë e imja ka pasur të bëjë me zyrën e Presidentit të vendit, me qytetarët e vendit, me institucionet e tij.

Alban Dudushi: Atëherë, këtë nder nuk ka arsye që Ju, të mos doni ta vazhdoni pas prillit të 2016-s…?

Presidentja Atifete Jahjaga: Mandati im përfundon në prill të 2016-s!

Alban Dudushi: Do të jeni politikane, gjithsesi?

Presidentja Atifete Jahjaga: Ende se kam vendosur se çfarë do të jem.

Alban Dudushi: Jeni shumë e re për të dalë në pension…?

Presidentja Atifete Jahjaga: Unë kam dalë një herë në pension, kam qenë gjenerale e dalë në pension deri më tani. Por, dua të garantoj të gjithë qytetarët e Kosovës, që kudo të jem, do jem në shërbim të vendit tim, do të jem në shërbim të qytetarëve të mi. Do të jem e përkushtuar, që të punoj në çdo sekondë për të ardhmen, për avancimin e pozitës së vendit tim. Patjetër që do të punoj edhe për avancimin e rolit të gruas.

 

 

/ Top Channel

WP Radio
WP Radio
OFFLINE LIVE