Deputeti Ilir Deda, i bërë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje para zgjedhjeve të fundit parlamentare po sfidon konceptin e subjektit politik të ndërtuar nga Albin Kurti.
Deda i ftuar në një emision argëtues në Klan Kosova përmes një veprimi të vogël ka dërguar një mesazh të madh.
Në emisionin ku mysafirët shtyhen të tregojnë talentin e tyre në pikturë, Deda ka zgjedhur të bëjë hartën e botës, duke e theksuar flamurin e Kosovës, simbol i cili nuk është pranuar asnjëherë nga subjekti politik i ndërtuar nga Albin Kurti.
Ai për këtë edhe ka marrë vërejtje të shumta pas postimit të fotografisë në Facebook. Shumë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje e kanë parë këtë si fyerje dhe kanë kërkuar nga ai që të kërkojë falje.
“Lëvizja VETVENDOSJE! është kundër një flamuri artificial i cili iu është imponuar popullit shqiptar pa e pyetur atë! Pranimi i këtij flamuri nga një anëtar i kësaj lëvizje e dëmton rëndë VV-n!”, ka shkruar një komentues në fotografinë e postuar nga Deda.
“Ilir Deda ju duhet të kërkoni falje që keni bër foto afër një simboli i cili përqan kombin shqiptar”, ka shkruar një komentues tjetër.
Deputeti Deda në Vetëvendosje kaloi nga shoqëria civile, ndërsa më parë bashkë me kryetarin aktual të Prishtinës, Shpend Ahmeti, ishte edhe themelues i partisë Fryma e Re, e cila u shua pasi nuk mundi të marrë votat e mjaftueshme sa për t’u bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
Koncepti politik i Dedës i treguar gjatë aktivitetit të tij gjatë kohës sa ishte pjesë e shoqërisë civile, por edhe i politikës ka qenë diametralisht i kundërt me atë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Deda vazhdimisht kishte proklamuar një frymë liberale, për dallim nga nacionalizmi ekstrem që karakterizon Vetëvendosjen.
Këto veprime edhe mund të mos kalojnë pa u vërejtur në partinë të cilën tani e drejton Visar Ymeri, pasi në të kaluarën anëtarë të cilët kanë devijuar nga parimet e vëna nga Albin Kurti, janë përjashtuar nga ky subjekt politik. /lajmi.net