Është më se e ditur se agjërimi i Ramazanit jo vetëm që konsiderohet detyrim (farz) islam, të cilin duhet ta kryejë muslimani, por ai është një nga shtyllat më thelbësore të fesë, domosdoshmëria e të cilit vjen menjëherë pas dëshmisë (shehadetit) dhe faljes së namazit. Megjithatë Allahu i Lartësuar në Kuranin Fisnik gjatë përligjjes së kësaj dispozite na e bën me dije se duhet të kihen parasysh rrethanat, kushtet dhe gjendja e besimtarit, i cili e përjeton këtë muaj dhe dëshiron ta agjërojë atë. Për këtë vërtetohet se i sëmuri, i cili nuk ka mundësi ta përballojë agjërimin, ose udhëtari që merr një rrugë të gjatë dhe personat e ngjashëm me këta lirohen nga ky detyrim. Lirimi nga agjërimi i njerëzve të këtillë, provon faktin se me detyrimin e agjërimit nuk synohet vështirësimi ndaj besimtarëve, por kalitja e tyre, arritja e devotshmërisë dhe manifestimi i nënshtrimit ndaj Krijuesit të tyre.
Allahu i Lartësuar në fund të ajeteve në të cilat përligjet agjërimi na e bën me dije këtë, duke na thënë: “Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë”.
Në vazhdim lexuesi do të ketë rast të njoftohet me personat të cilët lirohen nga agjërimi dhe me çfarë ngarkohen ata, për ta plotësuar atë mangësi. Mirëpo, meqë rrethanat e njerëzve të cilëve u lejohet lënia e Ramazanit nuk është e njëjtë dhe rrjedhimisht dispozitat e tyre dallojnë, varësisht prej gjendjes së tyre, atëherë do të flasim rreth kësaj problematike duke i klasifikuar ata në tri kategori:
1- Personat që lirohen nga agjërimi dhe nuk detyrohen me kompensim.
2- Personat që lirohen nga agjërimi dhe detyrohen me kompensim (kaza).
3- Personat që lirohen nga agjërimi dhe nuk kanë mundësi ta kompensojnë atë me agjërim.
a) Gjendja e jobesimtarit:
Nuk ka dyshim se agjërimi është adhurim specifik, i cili bëhet vetëm për hir të Allahut të Madhërishëm, prandaj për të qenë i pranuar ky adhurim duhet patjetër që njeriu të jetë musliman, i cili e ka pranuar Allahun për Zot të tij dhe Muhamedin, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, për të dërguar të Allahut. Duke u nisur nga ky fakt themi se nëse një jobesimtar e pranon Islamin dhe –kuptohet – ai gjatë jetës së tij para se të ishte musliman nuk ka agjëruar, atëherë një personi i tillë nuk detyrohet t’i kompensojë ato muaj të Ramazanit, të cilat nuk i ka agjëruar më herët, meqë njeriu që e pranon Islamin i shlyhen të gjitha mëkatet, të cilat i ka bërë para Islamit. Kjo vërtetohet me fjalën e Zotit të Madhërishëm në të cilën thotë: “Thuaju atyre që nuk besojnë: nëse largohen (nga mosbesimi), do t’u falet e kaluara…”Gjithashtu kjo vërtetohet edhe me hadithin e saktë në të cilin i Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, ka thënë: “Islami anulon të gjitha mëkatet e mëparshme”.
b) Fëmija i mitur:
Nga personat që lirohen nga agjërimi është fëmija, i cili nuk ka arritur moshën e pjekurisë. Çdo dispozitë detyruese në Islam hyn në fuqi për njeriun me arritjen e moshës madhore. Prandaj nuk detyrohet me namaz, agjërim, haxh dhe detyrime të tjera fëmija deri në momentin që arrin moshën e pjekurisë. Gjithashtu me pajtim të të gjithë dijetarëve të umetit (ixhma), nga ai nuk kërkohet që t’i bëjë kaza ato ditë të Ramazanit, të cilat nuk i ka agjëruar gjatë kohës kur ishte i mitur. Argument për këtë është hadithi: “Lapsi është i ngritur nga tre persona: nga personi që është në gjumë, derisa të zgjohet, nga fëmija, derisa të hyjë në moshën madhore, dhe nga i çmenduri, derisa të kthjellohet (të bëhet i aftë mendërisht)”. Mirëpo ky fakt nuk duhet t`i bëjë prindërit të qetë dhe të mos interesohen për mësimin e fëmijëve e tyre me agjërim para moshës madhore. Gjatë fëmijërisë, posaçërisht nëse fëmija është i shëndetshëm dhe ka mundësi ta përballojë agjërimin, atëherë preferohet që prindi ta kalitë fëmijën e tij me agjërim qoftë edhe pak ditë të Ramazanit.
c) Njeriu, i cili nuk ka mendje (i çmenduri):
Personi, i cili nuk ka mendje të shëndoshë dhe nuk është i vetëdijshëm lirohet nga agjërimi, meqë kusht për të qenë agjërimi detyrim është që personi të ketë mendje dhe të jetë i aftë në dallimin e gjërave. Argument për këtë është hadithi i lartpërmendur në të cilin thuhet, se lapsi ngrihet edhe nga i çmenduri derisa të bëhet i aftë mendërisht. Gjithashtu, një person i këtillë nuk detyrohet t’i kompensojë ato ditë të pa-agjëruara, nëse pas një farë kohe i rikthehet mendja dhe aftësohet.
2- Personat që lirohen nga agjërimi dhe detyrohen me kompensim (kaza).
Personat që arsyetohen me lënien e agjërimit të Ramazanit dhe që më pas detyrohen t’i kompensojnë ato ditë janë:
a) I sëmuri:
Personi, i cili është i sëmurë lejohet ta prishë agjërimin gjatë Ramazanit dhe ai në këtë rast nuk ka mëkat. Argument për këtë është ajeti: “Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar. Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë”. Megjithëse ekzistojnë shqyrtime të ndryshme te juristët muslimanë, se cila sëmundje e arsyeton mos-agjërimin e Ramazanit, ne pa hyrë në elaborimet e tyre themi se jo çdo sëmundje e liron njeriun nga agjërimi. Me fjalë të tjera sëmundja për agjëruesin mund të jetë dy llojesh:
– Sëmundje, e cila nuk ndikohet nga agjërimi, sikurse ftohjet e thjeshta (gripi), dhimbjet e lehta të kokës, dhimbja e dhëmbit, e gishtit dhe sëmundjet e tjera të vogla, të cilat nuk përkeqësohen me agjërim. Në këtë rast nuk lejohet prishja e agjërimit, edhe pse disa fukaha kanë thënë se lejohet prishja.
– Sëmundje, e cila ndikohet nga agjërimi dhe kështu çdo agjërim që ia shton të sëmurit sëmundjen, e pamundëson shërimin ose ia vonon kurimin, nuk lejohet ta agjërojë. Ndërsa nëse agjërimi për të sëmurin nuk shkakton dëm, por vetëm vështirësi, atëherë në këtë rast atij i preferohet prishja.
b) Udhëtari:
Nga njerëzit të cilët arsyetohen me mos-agjërim të Ramazanit është edhe personi, i cili ndërmerr ndonjë udhëtim të gjatë në këtë muaj. Argument se udhëtari është i lejuar ta prishë agjërimin është po i njëjti citat i përmendur tek i sëmuri, meqë në atë ajet gjatë përjashtimit të personave, të cilët lirohen nga agjërimi, i sëmuri dhe udhëtari përmenden së bashku.
Cila është më e preferuar për udhëtarin agjërimi apo prishja e agjërimit?
Udhëtarit i lejohet prishja e agjërimit, për shkak të udhëtimit edhe nëse nuk has në vështirësi. Nëse has në vështirësi, atëherë vërtetohet prishja e agjërimit. Ndërsa më e mira për të është të veprojë atë që është më e përshtatshme për të. Nëse edhe sikur të agjërojë apo mos të agjërojë është njësoj për të, atëherë më e mirë për të është të agjërojë, për shkak se ai me këtë e liron veten duke e kryer agjërimin dhe më e lehtë për të është të agjërojë me njerëzit. Ky është edhe mendimi i shumicës së dijetarëve. Kur është pyetur Enes Ibën Maliku rreth agjërimit të udhëtarit ka thënë: “Kemi udhëtuar së bashku me të Dërguarin, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, në Ramazan dhe nuk i bënte vërejtje ai që agjëronte atij që nuk agjëronte, ashtu si nuk i bënte vërejtje ai që nuk agjëronte atij që agjëronte”. Gjithashtu tregohet se Hamza Eslemi ka thënë: “O i Dërguari i Allahut! Unë kam forcë të agjëroj edhe kur jam udhëtar. A bëj gabim po të veproj kështu?” Profeti iu përgjigj: “Ky është një lehtësim nga ana e Allahut. Kush e shfrytëzon, vepron drejt dhe kush do të agjërojë, nuk ka ndonjë vërejtje për të”.
c) Gruaja gjatë menstruacioneve dhe lehona:
Gruaja, e cila është me menstruacione (hajz) dhe lehoni (nifas) nuk i lejohet të agjërojë, për shkak të gjendjes së saj. Nëse fillon të rrjedhë gjaku (i menstruacioneve) gjatë ditës së Ramazanit, qoftë edhe pak kohë para perëndimit të diellit, agjërimi i saj prishet. Ndërsa nëse gruaja pastrohet nga menstruacionet apo lehonia gjatë ditës së Ramazanit, nuk detyrohet ajo të agjërojë pjesën tjetër të ditës, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve. Argument se gruaja me të përmuajshmet dhe lehona nuk lejohet të agjërojnë është ixhmaja (pajtimi i të gjithë ulemave të Umetit), e cila bazohet në hadithin e Aishes në të cilin kur është pyetur, se: Pse gruaja me menstruacione e bën kaza agjërimin dhe nuk e bën kaza namazin, ajo është përgjigjur, se kështu ka qenë praktika e grave gjatë kohës kur ishte gjallë i Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të. Nga ky hadith nënkuptohet se gratë gjatë kohës së Muhamedit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, kur ishin me të përmuajshme nuk agjëronin.
d) Gruaja shtatzënë dhe gji-dhënësja:
Mëshira e madhe e Allahut të Madhëruar ndaj njerëzve manifestohet në çdo aspekt dhe në këtë kontekst gratë shtatzëna dhe gji-dhënëse lirohen nga agjërimi. Gruaja shtatzënë apo ajo që e ka fëmijën në gji, nëse frikësohet për shëndetin e saj, ose për fëmijën e saj, ose për të dyja; fëmijën dhe shëndetin e saj, asaj pra, i lejohet prishja e agjërimit. Përndryshe nëse agjërimi nuk i shkakton ndonjë të keqe asaj ose fëmijës së saj, atëherë ajo agjëron. Enes ibën Maliku tregon se i Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të ka thënë: “Vërtet, Allahu i Lartësuar e ka shkurtuar namazin përgjysmë për udhëtarin dhe e ka larguar barrën e të agjëruarit nga udhëtari, gruaja shtatzëne dhe gji-dhënësja”.
Kompensimi i ditëve të pa-agjëruara:
Plotësimi ose kompensimi i ditëve të lënë pa agjëruar nga Ramazani është detyrim për të sëmurin, udhëtarin, gruan me menstruacione e lehonë dhe për shtatzënën e gji-dhënësen. Nëse një ditë nga Ramazani është lënë pa agjëruar, atëherë duhet të agjërohet vetëm një ditë për ta plotësuar atë dhe nuk ka ndonjë shtesë tjetër. Nëse dikush plotëson ditët e pa-agjëruara, ai nuk është i detyruar ta bëjë këtë duke agjëruar rresht. Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar.” Kjo do të thotë se kushdo që është i sëmurë apo në udhëtim dhe e prish agjërimin duhet të agjërojë të njëjtin numër ditësh pavarësisht nëse e bën këtë rresht apo me ndërprerje.
Për kompensimin e ditëve të pa-agjëruara nga gruaja me të përmuajshme dhe lehonë është sqarimi i Aishes, Zoti qoftë i kënaqur me të, e cila tregon se Gruaja me të përmuajshme e kompenson agjërimin e lënë, ndërsa nuk e kompenson namazin e lënë dhe në këtë ka konsensus (ixhma).
Ndërsa gruaja shtatzënë dhe gji-dhënësja, që nuk kanë agjëruar ditët e Ramazanit ka mendime te dijetarët, se si bëhet kazaja e atyre ditëve. Pa u zgjeruar në këtë çështje themi se e sakta është se pavarësisht arsyes pse e kanë prishur agjërimin ato; a për shkak të foshnjës, apo për shkak të shëndetit të tyre, ato janë në të njëjtën gjendje sikurse i sëmuri, prandaj mjaftohet t’i kompensojnë ato ditë të lëna dhe nuk ka nevojë për ndonjë veprim tjetër shtesë, sikurse ushqimi i të varfërve.
Vonimi i kompensimit deri në Ramazanin e ardhshëm:
Personat e lartpërmendur, të cilët arsyetohen me mos-agjërimin e Ramazanit kërkohet prej tyre t’i kompensojnë ato ditë të pa-agjëruara pasi të kryhet muaji i Ramazanit dhe pasi të lirohen nga rrethanat, të cilat i kanë penguar për agjërimin, sikurse fjala vjen, i sëmuri të shërohet, udhëtari ta përfundojë udhëtimin etj. Nuk është e detyruar që bërja kaza e atyre ditëve të fillojë menjëherë, pasi koha për plotësimin e tyre është mjaft e gjerë dhe kjo shkon deri në Ramazanin e ardhshëm. Na tregohet se Aishja i plotësonte ditët e pa-agjëruara të Ramazanit pak para hyrjes së Ramazanit, më saktë në muajin Shaban, dhe ky është muaji, i cili i paraprin muajit Ramazan. Prandaj atij që i kanë mbetur pa-agjëruar nga ditët e Ramazanit dhe e vonon këtë, afati i fundit i kompensimit të tij është fillimi i muajit Ramazan i vitit të ardhshëm, kjo nëse nuk ka arsye, por nëse e vonon me arsye edhe pas Ramazanit të ardhshëm nuk ka mëkat. Ndërsa kush e vonon pa arsye agjërimin (kaza) e atyre ditëve, që nuk i ka agjëruar, derisa të vijë Ramazani i ardhshëm, nga ai kërkohet të pendohet (për këtë vonesë) dhe ta agjërojë Ramazanin, pastaj t’i plotësojë ditët e lëna pa agjëruar. Edhe pse transmetohet nga tre sahabë, se nga ata kërkohet krahas plotësimit, edhe të ushqejnë nga një të varfër për secilën ditë, nga citatet kuranore që flasin për këtë çështje kuptohet se kërkohet vetëm plotësimi dhe pendimi për vonimin dhe jo ndonjë vepër tjetër më shumë. Kjo është edhe zgjedhja e Hanefive, Ibrahim Nehaiut, Imam Buhariut dhe disa dijetarëve të tjerë.
3- Personat që lirohen nga agjërimi dhe nuk kanë mundësi ta plotësojnë atë me agjërim.
Personat, të cilët lirohen nga agjërimi i Ramazanit dhe nuk kanë mundësi t’i kompensojnë ato ditë me agjërim janë:
a) Pleqëria e thellë:
Plaku dhe plaka shumë të vjetër dhe të thyer në moshë, të cilët nuk kanë mundësi të agjërojnë, për shkak të dobësisë së tyre dhe ballafaqimit me vështirësi të papërballueshme; këta persona lirohen nga agjërimi. Gjithashtu është e qartë se gjendja shëndetësore e këtyre pleqve nuk ka mundësi të përmirësohet, prandaj nga ata nuk pritet se kanë mundësi t’i plotësojnë ato ditë të Ramazanit dikur.
b) Sëmundjet kronike:
Personat, të cilët vuajnë nga sëmundjet kronike të pashërueshme që pamundësojnë agjërimin, lirohen nga agjërimi i Ramazanit. Gjithashtu këta persona, meqë vuajnë nga sëmundje të pashërueshme ata nuk kanë mundësi t’i kompensojnë ato ditë pas Ramazanit. Si shembull i sëmundjeve kronike janë: disa lloje të rënda të sëmundjes së sheqerit, sëmundjet ekstreme të zemrës, tensioni i lartë etj.
Mënyra e kompensimit të ditëve të pa agjëruara për këta njerëz:
E sqaruam më lart, se plaku dhe plaka në moshë të thyer dhe i sëmuri me sëmundje kronike, nuk kanë mundësi t’i plotësojnë ditët e pa-agjëruara të Ramazanit. Prandaj ata nuk detyrohen me kaza të atyre ditëve, por nga ata kërkohet që për çdo ditë të Ramazanit të pa-agjëruar të ushqejnë një të varfër. Argument për këtë është fjala e Allahut: “Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi”. Ibën Abasi gjatë komentimit të këtij ajeti ka thënë: “Ajeti nuk është i anuluar, por ka të bëjë me plakun dhe plakën, të cilët nuk mund të agjërojnë, ndërsa ata për çdo ditë duhet të ushqejnë një të varfër”.
Për sasinë e ushqimit që duhet dhënë në këtë rast dijetarët kanë mendime të ndryshme dhe themi se ajo që duhet të jetë e mjaftueshme është përgatitja e një shujte ushqimi për një të varfër për çdo ditë të pa-agjëruar të Ramazanit. Nëse mjaftohemi edhe me një kilogram e gjysmë ose dy miell, oriz, makarona etj. bën, edhe pse përgatitja e shujtës është më primare.
Bekare, 185.
Enfal, 38.
Muslimi.
Ebu Davudi dhe Albani e cilëson të saktë.
Bekare, 185.
Hashijetu Ibën Abidin vëll. II, fq. 116; Esh-Sherhul Mumti, vëll. VI, fq. 341.
Muslimi.
Muslimi.
Buhariu dhe Muslimi.
Ebu Davudi, Nesaiu, Ibën Maxhe dhe Albani e cilëson të saktë.
Bekare, 185.
Fikhu Sune, vëll. I, fq. 311.
Muslimi dhe Tirmidhiu
Esh-Sherhul Mumti, vëll. VI, fq. 348-350.
Buhariu dhe Muslimi.
El-hidaje Sherhu Bidaje, vëll. I, fq. 127.
Fet`hul Bari, vëll. 4, fq. 188; Esh-Sherhul Mumti, vëll. 6, fq. 445.
Bekare, 184.
Shënon Buhariu.