Shqipëria ka çmimin më të lartë të energjisë elektrike në rajon, madje kalon dhe disa vende të Europës si Bulgaria dhe Islanda.
Zyra për Statistika e Komisionit Evropian, Eurostat, ka publikuar statistikat e fundit për çmimin e energjisë elektrike. Në tabelën e Eurostat shihet se Shqipëria nuk është aspak e favorshme për çmimin e energjisë.
Kosova garanton çmimin më të ulët në Europë për qytetarët dhe bizneset të saj. Sipas Eurostat, në Kosovë paguhet mesatarisht 5.5 cent për kilovat/orë, ndërsa në Shqipëri paguhet mesatarisht 11.6 cent për kilovat/orë, raporton për lapsi.al gazetari Vincent Triest. Pavarësisht se Kosova është një vend që importon energji nga Shqipëria, ajo u mundëson qytetarëve të saj ta paguajnë dy herë më pak energjinë.
Kosova ndiqet nga Serbia me 6.1 cent për kilovat/orë, ndërsa pas Serbisë lista vazhdon me Maqedoninë me 6.76 për kilovat/orë, Bosnje Hercegovina me 7.9 kilovat/orë, Mali i Zi me 8.83 për kilovat/orë.
Përveç efekteve negative që barra e lartë financiarë sjell për konsumatorët shqiptarë, ky çmim ka efekte negative për kompanite private që operojnë në Shqipëri. Kostoja e lartë e energjisë elektrike e bën Shqipërinë më pak tërheqëse për investitorët e huaj. / RTKLive