Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) do të veprojë me masa ndëshkuese ndaj bizneseve që nuk duan të fiskalizohen, pasi që tashmë ka hyrë në fuqi Udhëzimi i Ri Administrativ për Fiskalizim.

Ndërkohë, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, kërkon që , ATK ta përfundojë procesin e fiskalizimit. Muharrem Saraxholli:
Mosfiskalizimi i një pjese të bizneseve, posaçërisht të kompanive që merren me shitje të derivateve të naftës, ka qenë temë diskutimi viteve të fundit. Tani me hyrjen në fuqi të një Udhëzimi të Ri Administrativ, konsiderohet se nuk ka më arsye për mos-fiskalizim. Zëdhënësja e ATK-së Valentina Bytyqi Sefa, thotë se do të ushtrohet presion ligjor mbi biznese në mënyrë që të fiskalizohen:
“Tek ato biznese të cilët hezitojnë ose nuk duan të fiskalizohen ne do të veprojmë me masa ndëshkuese që parasheh legjislacioni tatimor. Ne do t’iu bëjmë faktikisht atë presionin ligjor që e kemi me të drejt të plotë për tu fiskalizuar bizneset që u takon të kenë arka fiskale në kompanitë e tyre dhe do të shohim se si do të ecë gjithë procesi”, tha ajo.
Kurse drejtori i Odës Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, beson se ATK më në fund do të përfundojë procesin e fiskalizimit:
“Dëshiroj të besoj se çfarëdo shqetësimi që ka pasur nga të gjitha palët përfshirë edhe ndërmarrjet të cilat kanë refuzuar të fiskalizohen ose pajisen me arka fiskale, çfarëdo arsye që kanë mund të kenë në të kaluarën, tashmë nuk ekzistojnë edhe më tej edhe kjo do të duhej ta inkurajonte ATK-në ta përfundonte procesin e fiskalizimit sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ai.
Drejtues të Ministrisë së Financave patën premtuar se me hyrjen ne fuqi të Udhëzimit të ri Administrativ, procesi i fiskalizimit do të përshpejtohet dhe brenda një periudhe të shkurtë ai do të përfundojë.

/RTKLive.com

WP Radio
WP Radio
OFFLINE LIVE