Një vështrim i shkurtër  si dhe një kthim  prapa në retrospektiven historike të  shoqërive njerëzore,  të bënë të kuptosh se ngritjet dhe rëniet e popujve të ndryshëm,  gjithmonë kanë  ndodhur si rezultat i  angazhimit dhe  veprimit si dhe vet  të bëmave të tyre.  Qenia njeri,  për dallim nga gjallesat tjera është graduar edhe nga Zoti  me titullin “ mëkëmbës – vice geront”, përgjegjës i rendit dhe rregullit në tokë  si dhe  njëkohësisht  është pajisur  edhe me fuqinë e  logjikës dhe  të  arsyes  si dhe me forcën e perceptimit dhe akceptimit. Po të ishte ndryshe në fakt  jo që nuk do mund të bënte diçka të mirë  për veten dhe të tjerët, por  edhe nuk do të dallohej nga gjallesat tjera shtazore dhe bimore,  të cilat janë të panumërta në kozmosin e gjerë,  e as  që do të  quhej me emrin njeri.

Me vetit e tij dalluese nga  e gjithë bota tjetër e gjallë, krijesa humane në sipërfaqen e tokës,  e ka pasur dhe e ka fuqinë  e veprimit dhe të manovrimit të studiuar dhe të planifikuar, të cilën  nuk e posedon ndonjë gjallesë tjetër i gjallë në mesin tonë. Fuqia e të logjikuarit  dhe  rezonimit si  dhe aftësia studiuese e tij  ishte dhe  vazhdon të jetë gjithnjë  evolutive,  dhe si e tillë është e pandalshme deri në përfundimin e kësaj bote.

Këto mundësi dhe aftësi të robit,  sa më mirë që shfrytëzohen,  aq më e mirë dhe më efektive si dhe  më e mirëfilltë   do të jetë jeta individuale dhe shoqërore në tokë.

Ndryshe,  të mirat e një shoqërie të prosperuar nuk  arrihen brenda natës, por përmes një procesi të gjatë dhe të përkushtuar, duke filluar me  edukimin e drejtë të gjeneratave të reja, punës së sinqertë dhe të çiltër, angazhimit për interesin e përbashkët  si dhe  veprimit dhe qasjes së drejtë ndaj të gjithëve.

Përderisa në  një familje, rreth, shoqëri apo shtet, nuk investohet në kultivimin e vetive pozitive  njerëzore, humane dhe etike, në  vlerat e respektit të ndërsjellë dhe solidaritetit, transparencës,  spiritualitetit dhe bamirësisë, dashurisë së vendit dhe atdheut etj., e ardhmja  nuk mund të jetë ndryshe    veçse anarki dhe çrregullim individual dhe  kolektiv.

Vendi dhe shoqëria e jonë ka pësuar dhe po pëson  pikërisht për gabimet e përsëritshme, të cilat  janë bërë dhe po bëhen me veprimet tona të pamatura dhe të pa ndërgjegjshme.

Fajin për gjendjen tonë aspak  të lakmueshme sot, duhet  në rend të parë t`a adresojmë tek vetja jonë, e vetëm pastaj t’i kërkojmë dhe  identifikojmë faktorët tjerë të jashtëm. Vite e dekada me radhë janë duke na  ikur shumë shpejtë, ndërsa ne vazhdojmë me avazin e vjetër duke gjetur prehje dhe arsyetime  në thëniet tona demo-de  si ;  “ jemi shoqëri në tranzicion”,  ose se “të tjerët i kanë fajet për gjendjen tonë !”.

Shtëpinë tonë askush nuk mund t`a dojë më shumë sesa vet ne,  siç edhe  askush  nuk dëshiron  t`a shoh atë  të rregulluar e të renditur më mirë se sa vet ne që jetojmë  e banojmë në të. Mirëpo, vetëm dëshirat dhe aspiratat të cilat nuk shoqërohen  me veprime konkrete dhe adekuate, ato gjithnjë  ngelin vetëm ëndrra  shterp dhe të parealizueshme,  kurse tatëpjeta e jonë sa  rrëshqet e thellohet më shumë.

Individi dhe  e gjithë shoqëria e jonë duhet t`a kuptojë njëherë e përgjithmonë se,  vrapimi vetëm pas  mirëqenies individuale,  duke anashkaluar e shkelur interesin e përgjithshëm ,  është veprim i gabuar dhe i mëkatar, si  tek njerëzit  e ashtu edhe tek Zoti. Njeriu,  edhe mbret po të jetë në mesin e një shoqërie të varfër ai nuk ndihet mirë dhe i qetë.

Është e vërtetë se në botë  nuk ka shoqëri ideale, mirëpo ka të tilla ku në to funksionon rendi, rregulli, ligji, barazia sociale dhe trajtimi i barabartë e njerëzor për të gjithë.

Fëmijët dhe gjeneratën tonë  që janë amanet i yni, nuk mund t`i edukojë  tjetër kush,  por vet ne duhet të jemi ata që marrim  përgjegjësinë e orientimit të tyre të drejtë.  Shkollat tona   nuk i avancojnë të huajt e as nuk bëjnë rregulla pedagogjike e akademike për to, po që se ne vet  nuk tregojmë interesim për avancimin dhe kredibilitetin e tyre.

Punësimet e njerëzve në institucione të rëndësishme të vendit  pa kritere, nuk i përzgjedhin  fqinjët  tanë e as të largëtit,  por vet dora dhe vullneti i jonë.

Vjedhjet, korrupsioni, dallaveret, haraçi,  ryshfeti, fajdeja, prostitucioni, droga etj, nuk mund të zhvillohen e zgjerohen në mesin tonë,  nëse    ne nuk i  mbyllim sytë ose nuk   shtiremi  se  nuk po i shohim aktivitet e tyre.

Haku i tjetrit nuk  nëpërkëmbet  nga të fuqishmit dhe të priveligjuarit, nëse  drejtësia e vendit   kryen punën e vet për të cilën është ngarkuar nga populli.

Ngjarjet e fundit në shtetin tonë janë sinjali më eklatant i fillimit të ndërmarrjes së hapave të ri dhe të shpejtë.  Eksodi i fundit,  i  ikjes  masovike  të bijave dhe bijve  tanë,  në rrugëtime pa adresë,  në kërkim të një mirëqenie dhe sigurie  më të mirë sociale,  si asnjëherë më parë duhet  të na bëjë që të mendojmë seriozisht për  gabimet dhe lëshimet tona, por  edhe për hapa konkret që duhet të bëhen  drejtë përmirësimit të jetës dhe standardit të qytetarëve tanë.

Duke vajtuar e duke deklaruar për keqardhje të gjendjes në të cilën gjendemi nuk zgjidhen hallet  dhe preokupimet tona.

Mendojë se këndellja për reflektim në vetveten tonë sot  është më se e   domosdoshme dhe e patejkalueshme, sepse duke mos i   parë dhe analizuar  gabimet tona  si dhe duke mos i përmirësuar ato, ne nuk do të kemi të ardhme të ndritur.

WP Radio
WP Radio
OFFLINE LIVE